Tregu i sigurimeve vijoi zgjerimin gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, por të dhënat tregojnë një rritje dukshëm më të shpejtë të dëmeve të paguara krahasuar me primet e mbledhura nga kompanitë.
Në periudhën janar-gusht, primet e shkruara bruto arritën në rreth 18.34 miliardë lekë, duke u rritur me 2.44% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, dëmet e paguara bruto arritën në rreth 5.96 miliardë lekë, ose 9.04% më shumë në terma vjetorë, sipas të dhënave të publikuara nga AMF.
Krahas rritjes së të ardhurave nga primet, është zgjeruar edhe numri i kontratave të sigurimit, me 6.14%, ndërsa numri i dëmeve të paguara është rritur me 6.39%.
Tregu vazhdon të mbështetet në masën dërrmuese te sigurimet Jo-Jetë, të cilat përbëjnë 91.29% të totalit. Primet në këtë segment arritën në rreth 16.75 miliardë lekë, 2.12% më shumë se një vit më parë. Dëmet e paguara, nga ana tjetër, u rritën me 10.60%, duke arritur në rreth 5.51 miliardë lekë.
Brenda sigurimeve Jo-Jetë, pesha kryesore vazhdon t’u takojë sigurimeve të detyrueshme motorike, që përfaqësojnë 68.78% të këtij segmenti. Primet e shkruara bruto nga sigurimet motorike arritën në rreth 11.52 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 4.01%.
Në të njëjtën kohë, kompanitë paguan rreth 3.88 miliardë lekë dëme nga ky portofol, 9.16% më shumë krahasuar me periudhën janar-gusht të vitit 2025. Numri i kontratave u rrit me 3.52%, ndërsa numri i dëmeve me 3.79%.
Në ecurinë e sigurimeve motorike vijon të ndikojë zbatimi i rregullores për faktorët e riskut, ku përfshihet Bonus-Malus, bën me dije AMF.
Edhe sigurimet e Jetës, megjithëse vazhdojnë të kenë një peshë relativisht të vogël prej 8.71% të tregut, shënuan rritje më të fortë se tregu në tërësi.
Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në rreth 1.60 miliardë lekë, 6.19% më shumë se një vit më parë, ndërsa numri i kontratave u rrit me 5.25%.
Dëmet e paguara në sigurimin e Jetës arritën në rreth 260 milionë lekë, duke u rritur me 14.71%. Edhe më e fortë ishte rritja e numrit të dëmeve të paguara, me 22.93%.
Ecuria e primeve në sigurimet e Jetës është ndikuar veçanërisht nga produktet e lidhura me kreditimin dhe kontratat në grup, ndërsa shtimi i numrit të dëmeve lidhet kryesisht me kontratat “flexi plan” dhe sigurimin e jetës së debitorit. /ekofin.al
