Rritja e dëmeve në numër, si edhe në vlerë, për shkak të rritjes së numrit të aksidenteve, kryesisht përgjatë muajve të verës, ndikon edhe në rritjen e vlerës dhe numrit të dëmeve pezull në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës. Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dëmet pezull në sigurimet e Jo-Jetës, në korrik 2024 arritën në afro 6.8 miliardë lekë, afro 11% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Rritje është shënuar edhe në numër praktikash. Kështu, në fund të muajit korrik të këtij viti, dosjet e dëmeve pezull të shoqëritë të Jo-Jetës arritën në 12,448, nga 9363 që ishin në fund të korrikut të vitit 2023.
Sipas përkufizimit, në dëme pezull klasifikohen dëmet që janë ende në proces vlerësimi nga shoqëritë e sigurimit, dëmet që janë miratuar si praktika, por ende nuk janë paguar, ose dëmet të cilat janë në proces gjyqësor, të cilat normalisht kërkojnë një kohë edhe më të gjatë, pasi pritet vendimi i formës së prerë për ekzekutimin e pagesës së tyre.
Në përgjithësi, shoqëritë që procesojnë një numër më të lartë dosjesh dëmi, rezulton që të kenë edhe një numër më të madh dëmesh pezull, kjo për shkak të vetë procedurave dhe natyrës së punës në trajtimin dhe pagesën e dëmeve, ku në disa raste kërkohen edhe verifikime dhe në disa raste shkohet edhe në investigime më të thelluara.
Nëse përgjithësisht tregu ka rritur dëmet pezull në numër dhe në vlerë, vetëm një shoqëri i ka ulur ato, si në numër, edhe në vlerë. Bëhet fjalë për Atlantik, shoqëri e cila në fund të korrikut rezulton të ketë pezull vetëm 47,500 Euro dëme, ose 0.7% të gjithë dëmeve pezull të tregut të sigurimeve të Jo-Jetës.
Atlantik, që përgjithësisht edhe përgjatë viteve nuk ka mbajtur nivele të larta dëmesh pezull, rezulton t’i ketë ulur ato në një nga vlerat më të ulëta historike për shoqërinë, ose 31.5% më pak sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Gjithashtu, edhe në numër praktikash, Atlantik ka vetëm 319 dosje dëmesh të papaguara, një pjesë e të cilave janë në proces gjyqësor (41 praktika rezultonin në gjykata deri në fund të marsit 2024). /Ekofin.al
