Kur po bëhen dy vite nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, që shkaktoi humbje jetësh njerëzore, si edhe dëme të mëdha në ndërtesa, ku një pjesë e konsiderueshme mbetën pa shtëpi, nevoja për sigurimin e pronës mbetet një domosdoshmëri, edhe pse ndërgjegjësimi është në nivele shumë të ulëta. Sigurimi i pronës për shuma që zakonisht llogariten në 1 euro për metër katror prim sigurimi me bazë vjetore mund t’i garantojnë të siguruarit në këtë rast edhe pagesa deri në 100 mijë euro, nëse do të ndodhte një tjetër fatkeqësi natyrore.
Shoqëritë e sigurimit kanë paguar për të siguruar vetëm gjatë vitit 2020 rreth 3 miliardë lekë dëme, ndërsa pagesat kanë vijuar edhe gjatë këtij viti, ku përfitues kanë qenë kryesisht të siguruarit për efekt të kredive bankare. Shoqëria e sigurimit Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group (SIVIG) rezulton në vend të parë në nivel tregu për pagesën e dëmeve në kategorinë e sigurimit “zjarri, forcat e natyrës dhe dëmtime të tjera në pronë” për periudhën janar-shtator 2021.
Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kjo shoqëri ka paguar mbi 424 milionë lekë për vitin 2021, me një rritje prej rreth 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë mënyrë, shoqëria ka paguar 36.4% të pagesave të realizuara në nivel tregu për periudhën 9-mujore, për këtë kategori sigurimi. Edhe gjatë vitit të kaluar, për të njëjtën periudhë shoqëria ka paguar mbi 308 milionë lekë dëme për të gjithë të siguruarit pranë saj.
Pagesat e dëmeve dhe gadishmëria kundrejt klientëve i është shpërblyer shoqërisë me një rritje prej 16% të vlerës së primeve në sigurimin e pronës, ndërsa Sigma Interalbanian, edhe në planet e saj të biznesit planifikon zgjerim të mëtejshëm në këtë kategori sigurimi. Gjithashtu një tjetër prioritet për shoqërinë janë edhe linjat e sigurimit të shëndetit, marrë në konsideratë edhe rëndësinë gjithmonë në rritje për shkak të pandemisë COVID-19 dhe interesimin për këtë kategori sigurimi.
Dëmet e paguara në sigurimin e pronës janar-shtator 2021, krahasuar me janar-shtator 2020
