Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave bëri të ditur se arkëtoi 65 gjoba të vendosura ndaj zyrtarëve, për shkak se nuk kanë respektuar kërkesat e ligjit.
Shuma e përgjithshme e gjobave të arkëtuara në 8-mujorin e vitit ishte mbi 9.5 milionë lekë. Referuar raportit të ILDKPKI, të paktën 29 prej gjobave janë paguar në mënyrë vullnetare nga ana e zyrtarëve me një shumë prej 3.96 milionë lekë, në total, ndërsa pjesa tjetër që përbën edhe shumicën është arkëtuar me forcë nga përmbarimi.
“Të ardhurat nga veprimtaria e ILDKPKI, vijnë kryesisht nga:
a) arkëtimi i gjobave të vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore. Për 8-mujorin e vitit 2021, janë gjithsej 29 raste të ekzekutuara më vullnet lë lirë, në vlerën 3.960,000 lekë
b) Ekzekutimi i detyrueshëm nga Zyrat Përmbarimore të rretheve për gjobat e vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore, si dhe vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë. Për këtë periudhë janë ekzekutuar tërësisht gjithsej 36 raste, në vlerën 5,467,000 lekë. ” thuhet në raportimin e ILDKPKI.
Në raportin e monitorimit të shpenzimeve dhe të ardhurave ILDKPKI nënvizoi se në fokus kanë qenë disa aspekte si: drejtimi dhe përmirësimi i politikave dhe mekanizmave për kontrollin e vërtetësisë dhe saktësisë së pasurive, të parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave të zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike, si instrumente të rëndësishme për luftën kundër korrupsionit. Po kështu forcimi i mëtejshëm i teknikave të hetimit administrativ jo vetëm në identifikimin e pasurive të fshehura apo të padeklaruara, por sidomos në kryerjen e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të rasteve të konfliktit të interesave.