Komisioni parlamentar i ligjeve nisi shqyrtimin e projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i prezantuar nga ministri i Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj.
Në fjalën e tij, ministri e përkufizoi këtë nismë si “një akt themelor për të ardhmen mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”, duke theksuar se hartimi i projektligjit është mbështetur mbi një proces të gjatë konsultimi publik. Sipas tij, ligji i ri synon të krijojë infrastrukturën ligjore dhe institucionale që i hap rrugë përmbushjes së standardeve europiane në këtë fushë.
Ndër elementët kryesorë, projektligji parashikon krijimin e një operatori kombëtar për menaxhimin e mbetjeve, organizimin e territorit në 10 zona menaxhimi, duke krijuar bazën për investime madhore infrastrukturore; hapjen e aksesit në mekanizmat e financimit europian, duke mundësuar projekte të reja për mbrojtjen e mjedisit; kalimin nga modeli linear “prodho–përdor–hidh” në një ekonomi qarkulluese, ku mbetjet kthehen në burim për ekonominë; reduktimin e kostos së importit të lëndëve të para dhe nxitjen e inovacionit e sipërmarrjes së gjelbër, si dhe përputhshmërinë me Kushtetutën dhe BE-në.
Çështjet e debatueshme
Në versionin e fundit të projektligjit, është tërhequr propozimi për lejimin e importit të mbetjeve, i cili kishte ngjallur debate gjatë fazës së konsultimit publik.
Megjithatë, një nga pikat më të diskutuara në komision mbetet skema e re e menaxhimit në nivel qendror. Deputetët ngritën pikëpyetje mbi mundësinë e cenimit të kompetencave të bashkive, të cilat aktualisht mbajnë përgjegjësinë kryesore për menaxhimin e mbetjeve.
Një tjetër çështje është rreziku i rritjes së taksave për qytetarët, nëse modeli qendror shoqërohet me kosto shtesë financiare.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, u vendos që projektligji të shqyrtohet në parim në një nga mbledhjet e ardhshme të komisionit, pas zhvillimit të një dëgjese të posaçme me grupet e interesit./ekofin.al
