Dean Çelaj është një nga emrat më frymëzues të brezit të ri të sipërmarrësve shqiptarë. I njohur për krijimin e platformës Akademi.al, në vitin 2019, e cila u kthye në një zgjidhje jetike për mësimin online gjatë pandemisë Covid-19, Dean tregoi se një ide e thjeshtë, kur mbështetet nga vendosmëria dhe guximi, mund të bëhet një histori suksesi me ndikim kombëtar. Në një rrëfim të sinqertë për podcastin “Sipërmarrës” me Valer Pinderin, ai flet për shkollimin në Angli, ku bëri gjimnazin, gabimet e para në biznes, sfidat e krijimit të një platforme pa përvojë dhe pa financim të madh, si dhe hapat e tij të rinj drejt një sipërmarrjeje të suksesshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Do doja ta nisja nga fillimi i eksperiencës tënde – gjimnazin e ke bërë në Angli, apo jo?
Po, ika herët në Angli, kur isha 15 vjeç. Gjimnazin e bëra në qytetin e Oksfordit dhe ishte një përvojë shumë e mirë, zgjati tre vite. Më pas, vijova studimet Bachelor në Londër.
Çfarë mban mend nga koha e gjimnazit?
Kur familja më dërgoi për të bërë gjimnazin në Angli, unë isha shumë i mërzitur në fakt. Nuk kisha fare dëshirë të ikja. Në Shqipëri e kisha gjetur shumë mirë veten, kisha një shoqëri shumë të zgjeruar, merresha me sport dhe isha shumë i kënaqur. Por, familja ime e shihte ndryshe, pasi shumë gjëra nuk i vëmë re kur jemi në adoleshencë. Familja mendonte se unë kisha nisur të frekuentoja shoqërinë e gabuar. Dhe një nga gjërat që vura re në Angli ishte pikërisht shoqëria. Shumë njerëz thonë që “duhet t’i zgjedhësh shokët më të mirë se vetja”, por realisht nuk e kupton deri në momentin kur ti takon njerëz që janë krejt ndryshe nga ti. Edhe në Angli shumica e njerëzve që takova ishin shumë të apasionuar pas shkollës, edhe flisnin për universitetet më të mira. Kjo është një gjë shumë e re për ne, pasi një 15-vjeçar në Shqipëri ndodh rrallë që të bëjë biseda për shkollën që do të arrijë. Ndërsa në Angli, kjo nisi shumë herët, flisnin për rezultatet, për CV-në. Unë as e dija çfarë ishte CV-ja atëherë. Ndërsa tani në Amerikë, është komplet gjë tjetër. Konkurrenca për të gjetur një shkollë të mirë në SHBA nis që në moshën 10-12 vjeç, në mënyrë që të zgjedhësh një gjimnaz sa më të mirë, për t’u përgatitur më tej për shkollën e lartë.
Si vijoi pastaj me universitetin?
Unë e kisha ndarë mendjen që do të vijoja studimet në Londër dhe aplikova në dy shkolla shumë të mira, LSE dhe UCL, pra, London School of Economics dhe University College London. LSE ishte shumë financë, ndërsa UCL-ja ishte shumë teknologji. Unë 18 vjeç nuk ia kisha idenë se çfarë ishte ëebsite. Dhe ishte shokuese të mësoja se mund të bëhej lekë me ëebsite. Unë vij nga një familje sipërmarrësish dhe padyshim që unë do të bëhesha sipërmarrës. Që në moshë shumë të vogël, edhe vëllain tim më të vogël ta pyesësh çfarë do bëhesh, përgjigja do jetë “biznesmen”. Nga mosha 15 deri në 18 vjeç, bizneset që më shkonin ndër mend ishin kafe, restorant, pastiçeri. Shumë njerëz në Shqipëri ende këto ide marrin.
Po Akademi.al, si lindi? Si vendose të futeshe në një industri kaq të vështirë?
Në fakt, nuk dija asgjë për biznesin, as pasi përfundova studimet. Në biznes ka disa elementë që duhet t’i marrësh parasysh: sa i madh është tregu, çfarë lloj konkurrence ekziston, etj. Unë e shikoja biznesin vetëm si produkt. Por në realitet, biznesi është produkt plus shitje, madje më shumë shitje. Fillimisht, për mua produkti ishte gjithçka – si do dukej faqja, cilat do ishin funksionalitetet – pa u menduar aspak si do ta shisja. Në pikun e vet, Akademi.al kishte rreth 750 mijë përdorues dhe asnjë me pagesë. Sot mendoj se do ishte shumë më mirë të kishte vetëm 1,000 përdorues me pagesë sesa 750 mijë pa asnjë të tillë. Atëherë, nuk e kisha fare sensin e biznesit.
E nise gjatë pandemisë apo më herët?
Ideja nisi më herët, gjatë një praktike pune (internship). Fillova të mendoja për një startup dhe bëra disa prototipe. Me 1 shtator vendosa të hidhesha me kokë te kjo ide – pa kthim pas. Ishte shumë interesante si nisje. Doja të krijoja një platformë me video, sepse edhe vetë, kur shkova në Oksford, mësova me video.
Si e ndërtove konkretisht platformën?
E kisha të qartë që do quhej Akademi.al. Bleva domain-in dhe mora një platformë të thjeshtë me WordPress dhe module të gatshme për e-learning. Në total, investova rreth 10 mijë euro. Afërsisht 2 mijë për ndërtimin e faqes dhe rreth 8 mijë për prodhimin e videove. Ideja ishte që mësuesi të dilte para dërrasës dhe të xhirohej duke dhënë mësimin. U lidhëm me një studio dhe xhiruam 1,000 video brenda dy muajve. Pastaj shkuam te drejtoresha e gjimnazit “Petro Nini” dhe i shpjeguam idenë. Na dha një klasë me dërrasë të zezë. Gjetëm mësuesit dhe nisëm regjistrimin. Deri në dhjetor, përfunduam videot dhe në janar mbyllëm sistemin. I hodhëm videot në YouTube – por platforma vetë kishte vetëm pesë përdorues. Ishte si një projekt i harruar, derisa ndodhi pandemia.
Dhe aty ndodhi kthesa…
Po. Kur u mbyllën shkollat dhe u kërkua që mësimi të kalonte online, mendova menjëherë: “Ky është momenti im.” Mbaj mend që i shkrova kryeministrit në WhatsApp, megjithëse nuk e kisha takuar kurrë. I shkrova edhe ministres së Arsimit, dërgova email te Ministria, madje iu drejtova çdo personi që mund të gjeja kontaktin. Brenda ditës, më morën në telefon dhe më ftuan në ministri. Kur diskutuam, në fund më pyetën sa do të kushtonte. U thashë: “Është pa pagesë.” Nuk e shihja si një arritje të madhe. Ishte thjesht një zgjidhje që duhej të vihej në përdorim.
Pastaj, si e arrite bursën ne Harvard?
Po, Amerika është vendi i mundësi, por patjetër duhet edhe të besosh shumë. Isha duke fjetur një natë, më doli gjumi në orën 2 dhe mendova mastër në arsim dhe në Harvard. Unë 100% e kap këtë master. Me kaq sa kam bërë për arsimin në Shqipëri, me shumë mundësi e arrij këtë master. Shkruaj një email dhe më del që personi që merrej me pranimet ishte shqiptar. Këtu u përforcua edhe më tej mendimi se nuk ishte thjesht rastësi, por unë do ta arrija Harvardin. Dhe jo vetëm e arrita, por fitova edhe një bursë, 100% që ia japin vetëm 1 personi në vit.
Po tani, në Amerikë, si nisi koncepti i biznesit të dytë?
GoTeacher nisi kur aplikova për në SHBA. Eksperienca në Shqipëri më shërbeu jashtëzakonisht. Aty nuk më vlerësonin aq shumë, por në Amerikë ishte ndryshe. Kur profesori im lexoi që 90% e nxënësve shqiptarë e kishin përdorur platformën dhe që Akademi.al ishte listuar nga UNESCO si një nga platformat me më shumë video edukative në botë, mbeti i impresionuar.
Jo vetëm që më pranoi në kursin e tij, por më tha drejtpërdrejt: “Jam investitor dhe dua të investoj tek ty.” Aty më ndryshoi gjithë mënyra si e shihja startup-in. Nuk ka rëndësi të kesh vetëm një ide të bukur. Duhet të kuptosh saktësisht kush është personi që ka buxhetin për zgjidhjen që ofron, cilin titull ka ai në një organizatë dhe nëse ke akses tek ai. Në vend që të lodhesh vetëm duke menduar për idenë, shko dhe gjej njeriun me buxhetin. Kupto çfarë problemi ka dhe nis të ofrosh një zgjidhje.
Ndërkohë një pjesë të kohës gjatë vitit ti e kalon edhe në Shqipëri. Çfarë të bën të kthehesh këtu?
Familja është gjëja kryesore që vij këtu. Projektet që kam në Shqipëri. Akademia vazhdon akoma, gjithashtu kemi krijuar një kamp inovator me rreth 75 të rinj, i quajtur AI Hustle LAB, ku mësojmë këta të rinj, të moshave 14-18 vjeç, për të gjeneruar ide për start-upe, por edhe të përforcuara në AI. Pra, ata aty mësojnë sesi ta realizojnë këtë ide duke përdorur ChatGPT, si të krijojnë një prezantim sa më shpejt duke përdorur Canva, si mund të krijojnë prototipe duke përdorur aplikacione ose programe të dedikuara, pra i mësojmë sesi nga ideja mund të shkojnë në ekzekutim. Është një punë për pasion, ku unë shpenzoj shumë kohë, por nuk fitoj asgjë. Në përgjithësi më pëlqen jetesa në Shqipëri, pasi është shumë herë më e qetë dhe e thjeshtë. Të paktën jam me familjen dhe kjo është shumë mirë për mua.

