Të dhënat e trafikut do të jenë të disponueshme në kohë reale për rrjetin rrugor shqiptar.
Udhëzimi i ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, “Mbi ofrimin e shërbimeve të informaciont në kohë reale”, tashmë në fuqi me publikimin në Fletoren Zyrtare, detajon llojin e informacionit që do të jetë i disponueshëm në kohë reale.
Llojet e të dhënave për infrastrukturën përfshijnë lidhjet e rrjetit rrugor dhe cilësitë e tyre fizike përfshirë kryqëzimet dhe gradientët, si dhe vendndodhja e stacioneve të pagesës së tarifës.
Në kohë reale do të ketë informacion për vendndodhjen e zonave të shërbimit dhe pushimit, pikat e karikimit për mjetet elektrike apo stacionet e karburanteve, deri te kufizimi i rrugëve dhe kushtet e hyrjes në tunele.
Sa u përket të dhënave për gjendjen e rrjetit, do të përditësohen mbylljet e rrugëve, mbylljet e korsive, punimet në rrugë, si dhe masat e përkohshme të menaxhimit të trafikut.
Gjithashtu, aksidentet dhe incidentet, kushtet e këqija të rrugës, si dhe kushtet e motit që ndikojnë në sipërfaqen e rrugës dhe pamjen do të përfshihen në informacion.
Përdorimi në kohë reale e trafikut do të sigurojë të dhëna për vëllimin, shpejtësinë, vendndodhjen dhe gjatësinë e radhëve të trafikut, kohën e udhëtimit, si dhe kohën e pritjes në vendkalimet kufitare deri te disponueshmëria e pikave dhe stacioneve të karburantit për llojet alternative të karburantit etj.
Do të jetë ARRSH-ja që përcakton pikën e hyrjes digjitale dhe bazën e të dhënave, ku vendosen, paraqiten dhe ruhen metadatat e të dhënave ose edhe vetë të dhënat e ofruara nga mbajtësit e këtyre të dhënave, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e udhëzimit.
Mbajtësit e të dhënave publike dhe private ofrojnë metadatat e të dhënave të tyre tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, në mënyrë që të lejojnë përdoruesit e të dhënave të zbulojnë dhe të përdorin grupe të dhënash, nëpërmjet ARRSH-së. Mbajtësit e të dhënave do të jenë përgjegjës për cilësinë e të dhënave që ofrohen.
Sipas udhëzimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar i paraqet ministrit përgjegjës për transportin, brenda datës 1 janar 2026, përparimin e bërë në drejtim të aksesueshmërisë, shkëmbimit dhe ripërdorimit të llojeve të të dhënave për rrjetin, shtrirjen gjeografike të të dhënave të aksesueshme nëpërmjet tij, si dhe ndryshimet në rrjetin rrugor primar dhe në përmbajtjen e të dhënave të shërbimeve të informacionit të trafikut në kohë reale dhe cilësinë e tyre.
Deri më datë 31 dhjetor 2027, detyrimet për llojin, gjendjen e rrugëve etj do të zbatohen vetëm për rrugët pjesë e rrjetit gjithëpërfshirës rrugor transevropian, autostrada të tjera që nuk përfshihen në rrjetin rrugor gjithëpërfshirës transevropian, si dhe rrugët parësore/kryesore./ekofin.al
