Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur sot se, ka nisur procedurat për vlerësimin e marrëveshjes ndërmjet grupeve të interesit përfaqësues të autoshkollave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi përcaktimin e kostos minimale fiskale.
”Nisur nga disa shqetësime të bëra publike nga medie në lidhje me marrëveshjen ndërmjet Grupeve të interesit përfaqësues të autoshkollave (shoqata “Kombëtare e autoshkollave” dhe shoqata e autoshkollave “Siguria në rrugë”), Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi përcaktimin e kostos minimale fiskale (tarifat e pagesës) së përgatitjes për drejtues mjeti, ka nisur procedurat për vlerësimin e kësaj marrëveshje në kuptim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës””, bën të ditur në një deklaratë për mediet Autoriteti i Konkurrencës.
Sipas AK-së, ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.
“Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës që rrjedh nga projekt aktet që kanë të bëjnë me: kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes”, thuhet në deklaratë.
Për sa më sipër, Autoriteti i Konkurrencës thotë se, ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës.
Një javë më parë, DPSHTRR, DPT dhe shoqatat e autoshkollave, deklaruan se kishin arritur në një marrëveshje për me qëllimin forcimin e barrierave kryesore kombëtare në luftën ndaj spekulimeve dhe konkurrencës së pandershme dhe rregullimin e tregut të aktivitetit të autoshkollave.