Nga 1 nëntori nis zbatimin vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për aplikimin e çmimeve të rritura të energjisë në orarin e pikut të furrave prodhuese të bukës dhe pastiçerive.
Në një intervistë për gazetën “Panorama” ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi tregon se çmimet do të rriten me 15% për të gjitha kategoritë, në varësi të llojit të aktivitetit të furrave. Por kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike pritet të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të bukës. Më tej ekspertja tregon se prodhuesit pohojnë se rritjen e çmimit të energjisë do ta reflektojnë në rritjen e çmimit të bukës në 15-20 lekë. Kjo situatë sipas saj nënvizon nevojën për masa mbështetjeje për këtë sektor për të lehtësuar presionin e kostove mbi këto biznese, duke i ndihmuar të ruajnë konkurrueshmërinë dhe të ofrojnë produkte më të përballueshme për konsumatorët.
Ekspertja thekson se prodhuesit e bukës janë kundër vendimit për rritjen e çmimit të energjisë në orarin e pikut, pasi kjo do të rrisë kostot e prodhimit dhe, për pasojë, do të ndikojë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Shumë nga këta prodhues kanë pohuar se po planifikojnë të rrisin çmimin e bukës me 15 deri në 20 lekë. Prodhuesit e bukës e konsiderojnë këtë vendim si të padrejtë, pasi besojnë se duhet të kenë lehtësira në kushte të tilla. Ata po përballen me vështirësi financiare si rezultat i rritjes së çmimeve të lëndës së parë dhe rritjes së pagave të punonjësve. Sipas tyre, një rritje tjetër në kostot e energjisë do t’i vështirësojë akoma më shumë situatën dhe do të ndikojë negativisht në qëndrueshmërinë e bizneseve të tyre.
Radonshiqi thotë se buka është një pjesë thelbësore e dietës së përditshme për shumicën e shqiptarëve. Një familje me katër anëtarë konsumon mesatarisht një bukë në ditë, kjo do të thotë se çmimi i bukës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet e tyre për ushqim. Një rritje e çmimit të bukës ka ndikim të rëndësishëm në buxhetin familjar, veçanërisht për ata që kanë të ardhura të kufizuara. Kjo nënvizon rëndësinë e monitorimit të çmimeve ushqimore për të siguruar që familjet të kenë akses në produkte të përballueshme dhe cilësore.
Sipas ekspertes, prodhuesit duhet të planifikojnë prodhimin e bukës në orët e natës, kur tarifat nuk janë të larta. Megjithatë, kjo kërkon një organizim të mirë të proceseve prodhuese për të siguruar që produktet të jenë të freskëta. /gazeta panorama
