Konsumatorët shqiptarë do të kenë mundësi të krahasojnë çmimet e 238 artikujve në 155 pika shitjeje në të gjithë vendin, ndërsa 212 produkte do të ofrohen me çmime të fiksuara dhe ulje mesatare prej 20-22% për një periudhë tremujore. Për disa produkte, uljet mund të arrijnë deri në 40%.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në prani të kryeministrit Rama, prezantoi platformën online “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, dy iniciativa që synojnë rritjen e transparencës në tregun e produkteve të konsumit të përditshëm, nxitjen e konkurrencës ndërmjet supermarketeve dhe lehtësimin e kostove për familjet shqiptare.
Nismat vijnë në një periudhë kur rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe shpenzimet e përditshme vijojnë të ushtrojnë presion mbi buxhetet familjare.
“Pasqyra e Çmimeve”, 238 artikuj në 155 pika shitjeje
Platforma e re online “Pasqyra e Çmimeve” përfshin 238 artikuj, të ndarë në 13 kategori produktesh, çmimet e të cilëve mund të krahasohen në 155 pika shitjeje në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Në këtë nismë marrin pjesë pesë rrjete supermarketesh: Spar, Conad, Big Market, Xhangolli dhe Extra Market.
Përmes platformës, qytetarët do të mund të identifikojnë supermarketet që ofrojnë çmimet më të ulëta për produktet që blejnë zakonisht, duke bërë të mundur krahasimin përpara se të kryejnë blerjet.
Produktet e përfshira janë përzgjedhur duke marrë në konsideratë peshën e tyre në shportën e konsumit të familjeve shqiptare. Mes tyre janë sheqeri, vaji, mielli, drithërat, makaronat, fasulet, thjerrëzat, kosi, vezët, gjalpi dhe mishi i pulës, si dhe detergjentët e produktet e higjienës.
Sipas ministres Ibrahimaj, platforma është ndërtuar pas një analize të praktikave të vendeve të tjera dhe konsultimeve me rrjetet kryesore të supermarketeve.
Qëllimi është që transparenca e çmimeve të krijojë presion konkurrues ndërmjet tregtarëve, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të orientohen drejt ofertave më ekonomike.
Nisma “KURSE”, 212 produkte me çmime të fiksuara dhe ulje deri në 40%
Paralelisht me platformën e krahasimit të çmimeve, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit prezantoi edhe nismën “KURSE”, e cila parashikon fiksimin e çmimeve për 212 produkte të konsumit të përditshëm.
Sipas ministres Ibrahimaj, çmimet e këtyre produkteve do të mbeten të pandryshuara deri më 12 janar, për një periudhë rreth tremujore.
Në këtë nismë janë angazhuar pesë rrjetet e supermarketeve dhe 22 furnitorë, të cilët kanë rënë dakord që produktet e përzgjedhura të tregtohen me marzhe minimale fitimi.
Ulja mesatare e çmimeve, sipas deklarimit të ministres, do të jetë 20-22%, ndërsa për produkte të veçanta reduktimi mund të arrijë deri në 40%. Për produkte të tjera, ulja do të jetë rreth 10%.
“Janë gjithsej 212 produkte të cilat do të kenë çmimin e fiksuar, pra për të cilat çmimet nuk do të ndryshojnë”, deklaroi Ibrahimaj.
Ajo theksoi se angazhimi i supermarketeve dhe furnitorëve synon të krijojë një periudhë lehtësimi për konsumatorët, duke ulur koston e produkteve bazë të shportës familjare.
Megjithatë, ndikimi real i nismës në buxhetet familjare do të varet nga produktet që konsumatorët blejnë, sasitë e tyre dhe çmimet e aplikuara përpara fillimit të nismës.
Brenda 10 ditësh, edhe aplikacioni për telefonat celularë
Ministria synon që platforma “Pasqyra e Çmimeve” të mos mbetet vetëm një faqe online, por të shndërrohet edhe në një aplikacion të dedikuar për telefonat celularë.
Sipas Ibrahimajt, brenda 10 ditëve të ardhshme do të punohet për ndërtimin e aplikacionit, i cili do t’u mundësojë qytetarëve të ruajnë produktet që blejnë më shpesh, të krijojnë shportën e tyre të konsumit dhe të përdorin vendndodhjen për të identifikuar pikat e shitjes.
Kjo do të mundësojë një krahasim më të personalizuar të çmimeve, duke u dhënë familjeve mundësinë të ndjekin ndryshimet e tyre dhe të zgjedhin alternativat më të lira.
Gjoba për supermarketet që raportojnë çmime të pasakta
Një element tjetër i rëndësishëm i platformës është detyrimi i tregtarëve për të raportuar çmime reale dhe të përditësuara.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se sistemet e platformës janë ndërlidhur me sistemet e tregtarëve, me qëllim që çmimet e publikuara online të përputhen me ato që aplikohen në pikat fizike të shitjes.
Sipas saj, tregtarët duhet të përditësojnë informacionin në platformë përpara se të ndryshojnë çmimet.
Në rastet kur konstatohen mospërputhje ndërmjet çmimeve të publikuara dhe atyre reale, konsumatorët do të kenë mundësi të raportojnë problematikat.
Ministrja paralajmëroi se shkeljet do të trajtohen në përputhje me ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit”, i cili parashikon edhe masa administrative me gjobë. /ekofin.al
