Përdorimi i infrastrukturës dhe kapaciteteve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës si porta kryesore hyrëse dhe dalëse e Shqipërisë, me çmime shumë të ulëta, ka shtuar dëshirën e familjeve shqiptare për të udhëtuar më shumë jashtë vendit.
Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT në publikimin e fundit mbi “Burimet dhe përdorimet” në ekonomi, shqiptarët kanë shpenzuar rreth 11.7 miliardë lekë, ose 117 milionë euro, vetëm për bileta avioni, pra për shërbimet e transportit ajror. Kjo shifër ishte 55.7% më e lartë, sesa ajo e vitit të kaluar.
Aeroporti i Tiranës raportoi gjatë vitit 2023 një rritje me 40% të numrit të pasagjerëve, duke arritur në mbi 7.2 milionë pasagjerë.
Investimet e kryera që nga viti 2020 e në vazhdim nga koncesionari i aeroportit, Kastrati Group, të cilat vlerësohen në mbi 120 milionë euro, kanë rritur kapacitetin e vendeve me 67% në dhjetor 2023, krahasuar me dhjetor 2022, duke arritur në 429,708 vende.
Kjo është shënuar edhe me lëvizje të shtuara të trafikut ajror, ku vitin e kaluar janë krye mbi 25 mijë cikle fluturimesh, ose 32% më shumë sesa në vitin 2022.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës u rrit me 37% në terma të kapacitetit, duke çuar në një numër total prej 4,240,461 vendesh nga 3,089,941 që ishte në vitin 2022.
Kjo rritje ka ardhur si pasojë e marrëveshjeve të aeroportit, kryesisht me linjat low cost, ku kryeson Wizz Air, por edhe kompanitë e tjera kryesore të fluturimeve. Wizz Air është linja dominuese në tregun e flututimeve, me 59% të totalit dhe me një numër prej 4,289,960 pasagjerësh.
Me shtimin e destinacioneve tërheqëse, ku Wizz Air ofron fluturime direkte në mbi 55 destinacione evropiane, si edhe në Abu Dabi dhe me çmimet e biletave shumë të ulëta, në shumë raste edhe më të ulëta sesa çdo udhëtim me tren, Aeroporti i Tiranës është kthyer në një vend të preferuar jo vetëm për shqiptarët vendas, por edhe udhëtarët nga vendet e rajonit.
Këtë e dëshmojnë shifrat në rritje të qytetarëve nga Mali i Zi, por edhe ata nga Kosova që erdhën vitin e kaluar në Shqipëri në rrugë tokësore, për të udhëtuar më tej përmes aeroportit në destinacionet e tyre të preferuara.
Sipas të dhënave të TIA, Italia me (44%) të numrit të pasagjerëve mbetet destinacioni i preferuar i shqiptarëve, ndërsa Milano është qyteti ku ata kanë udhëtuar më shumë gjatë vitit 2023. Destinacionet e tjera të preferuara janë Gjermania dhe Britania e Madhe, kjo edhe për shkak të lidhjeve dhe numrit të konsiderueshëm që qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje.
E nëse vitin e kaluar, Aeroporti priti mbi 7.2 milionë pasagjerë, këtë vit TIA njoftoi në 19 shtator se e kishte kaluar shifrën prej 8 milionë pasagjerësh, duke projektuar një tjetër vit rekordesh, mes aeroporteve me rritjen më të shpejtë në Evropë. /ekofin.al
