Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024, çmimet e prodhimit janë rritur me 1.7%, një rritje e ndjeshme në krahasim me 6.9% që ishte një vit më parë. Ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të vitit, periudha prill-qershor ka shënuar një rritje më të vogël prej 0.1%.
Raporti i fundit i INSTAT-it tregon se, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritja më e madhe e çmimeve është evidentuar në sektorin e “energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar” me 5.3%, e ndjekur nga “industria nxjerrëse” me 4%, “industria përpunuese” me 0.4%, dhe “furnizimi me ujë dhe trajtimi i mbetjeve” me 0.3%.
Brenda industrisë përpunuese, aktivitetet me rritjen më të madhe të çmimeve përfshijnë “prodhimin e produkteve të duhanit” me 3.8%, “përpunimin e produkteve ushqimore” me 3%, dhe “prodhimin e pijeve” me 2.7%. Në kontrast, çmimet kanë rënë më shumë në “përpunimin e tekstileve” me 3.2%, dhe në “prodhimin e produkteve minerale jo metalike” me 2.3%.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për tregun vendas është rritur me 2.3%, me rritjen më të madhe në sektorin e “energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar” me 7%, ndjekur nga “industria nxjerrëse” me 2.2%, “industria përpunuese” me 0.7%, dhe “furnizimi me ujë dhe trajtimi i mbetjeve” me 0.5%.
Për eksport, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit është rritur vetëm me 0.2%, me rritje më të madhe në “industrinë nxjerrëse” me 5.1%. Në të njëjtën kohë, sektori i “industrisë përpunuese” ka pësuar një ulje prej 0.6%, dhe “furnizimi me ujë dhe trajtimi i mbetjeve” ka regjistruar një ulje prej 0.2%.
