Tremujori i tretë i vitit 2025 sjell një tablo të qetësuar të presioneve nga ana e ofertës, ku si çmimet e prodhimit vendas ashtu edhe ato të importit lëvizin me ritme minimale, duke reflektuar stabilizim në zinxhirët e furnizimit dhe efekte më të zbehta nga mallrat bazë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) arriti në 129,5, me një rritje modeste vjetore prej vetëm 0,2%, ndërsa Indeksi i Çmimeve të Importit (IÇI) preku nivelin 107,4, duke shënuar një rënie vjetore prej 0,5%.
Këto zhvillime vijnë në një periudhë ku ekonomitë rajonale dhe europiane kanë hyrë në fazën e normalizimit të çmimeve pas goditjeve të viteve 2022–2023, ndërsa çmimet e energjisë kanë humbur rolin dominues në luhatjet e tregut. Shqipëria duket se ndjek të njëjtën tendencë, me ngadalësim të ritmit të rritjes së çmimeve industriale dhe zbutje të kostove të importit, çka në terma makroekonomikë ndihmon stabilitetin e inflacionit të brendshëm.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit: rritje minimale, industria përpunuese mbetet motor kryesor
Në nivel vjetor, IÇP shënoi një rritje shumë të lehtë prej 0,2%, duke qëndruar praktikisht në të njëjtat nivele me një vit më parë. Rritja më e lartë regjistrohet në Industritë përpunuese me 0,4%, të udhëhequra nga aktivitetet “Prodhimi i mobiljeve” dhe “Prodhimi i pijeve”, secili me rritje prej 1,3%. Këto degë vijojnë të përfitojnë nga kërkesa e qëndrueshme dhe nga normalizimi i kostove të lëndëve të para.
Edhe industria nxjerrëse dhe sektori i furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve shënuan rritje modeste prej 0,2%, duke reflektuar stabilitet të çmimeve në shërbimet bazë dhe produkte të burimeve natyrore.
Nga ana tjetër, disa nënsektorë të industrisë përpunuese shfaqin tendencë rënëse, si “Konfeksionimi i veshjeve” dhe “Prodhimi i kimikateve”, me ulje prej 0,5%, pasojë e rënies së çmimeve të lëndëve të para, konkurrencës së lartë në tregjet e eksportit dhe presionit për ulje kostosh nga partnerët ndërkombëtarë.
Tregu vendas regjistroi rritje disi më të lartë të IÇP, me 0,3%, i nxitur nga përpunimi dhe shërbimet e mbetjeve, ndërsa çmimet në industrinë nxjerrëse për përdorim të brendshëm ranë ndjeshëm me 1,6%, duke reflektuar uljen e kërkesës për materiale minerare dhe efektet e çmimeve ndërkombëtare.
Ndërsa në eksport, indeksi shënon një rritje minimale prej 0,1%, me rritje më të theksuar nga industria nxjerrëse, ndërsa energjia dhe disa kategori të përpunimit vijojnë në terren negativ.
Në krahasim me tremujorin e dytë të vitit, çmimet e prodhimit ranë me 0,1%, të tërhequra kryesisht nga ulja e çmimeve të energjisë elektrike, gazit dhe avullit me 0,3%, ndërsa përpunimi dhe industria nxjerrëse regjistruan rënie të lehta prej 0,1%. Edhe tregu vendas dhe ai i eksportit shënuan lëvizje negative, duke pasqyruar një periudhë korrigjimesh sezonale dhe reduktim të presioneve në kostot e prodhimit.
Indeksi i Çmimeve të Importit: rënie vjetore, ushqimet dhe energjia ulen ndjeshëm
Indeksi i Çmimeve të Importit për tremujorin e tretë të vitit 2025 shënoi ulje vjetore prej 0,5%, duke vijuar trendin disafish të rënies nga tremujorët e mëparshëm. Pesha kryesore në këtë tkurrje ka ardhur nga seksioni “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar”, i cili regjistroi një ulje të theksuar prej 4,6%. Kjo rënie pasqyron kushtet më të favorshme në tregjet ndërkombëtare të energjisë, si dhe rritjen e sigurisë së furnizimeve në rajon.
Ulje të çmimeve u vunë re edhe në produktet e industrisë përpunuese me një peshë dominuese në importet totale, ku ra me 0,3%. Brenda këtij grupi, zbritja më e fortë u shënua tek produktet ushqimore, me një ulje prej 1,7%, duke reflektuar rënien e çmimeve të grurit, vajrave dhe lëndëve të tjera të rëndësishme në tregjet botërore.
Rënie shënuan gjithashtu produktet prej druri, veshjet, pijet dhe kimikatet, ndërkohë që disa kategori regjistruan rritje, si industria e duhanit, “industria e tjera p.k.t” dhe sektori i shtypshkrimit, të ndikuara nga çmime të brendshme më të qëndrueshme dhe kërkesë të lartë sezonale.
Në nivel tremujor, çmimet e importit ranë me 0,2%, duke ndjekur të njëjtën dinamikë me atë të prodhimit. Sektori i energjisë përsëri udhëhoqi uljen me 1,1%, ndërsa përpunimi ra me 0,1%, i tërhequr kryesisht nga rënia e çmimeve të ushqimeve dhe kimikateve. Në të kundërt, aktiviteti i menaxhimit të mbetjeve dhe furnizimit me ujë shënoi rritje prej 0,9%, një lëvizje zakonisht e lidhur me ndryshime tarifore ose efekte sezonaliteti.
Çfarë nënkuptojnë këto zhvillime për ekonominë?
Tabloja e tremujorit të tretë sinjalizon një periudhë stabiliteti dhe presionesh të zbehta inflacioniste nga ana e ofertës. Rritjet modeste të çmimeve të prodhimit, të kombinuara me uljen e çmimeve të importit, krijojnë kushte për ruajtjen e inflacionit pranë objektivit dhe mbështesin konsumatorët dhe bizneset përmes kostove më të ulëta të inputeve.
Zbutja e çmimeve të energjisë dhe e produkteve bazë është një faktor kyç që lehtëson kostot e sektorëve industrialë dhe bujqësisë, ndërsa stabiliteti në industrinë përpunuese dhe orientimi drejt produkteve me vlerë të shtuar të lartë ofron sinjale pozitive për konkurrueshmërinë e eksporteve.
Në javët e ardhshme, vëmendja mbetet tek performanca e çmimeve të energjisë gjatë dimrit dhe ritmi i normalizimit në tregjet ndërkombëtare, të cilat do të përcaktojnë prirjet e çmimeve në fillim të vitit 2026. /ekofin.al
