Çmimet e naftës ranë dhe tregjet e aksioneve nisën të rikuperohen pasi komentet e presidentit amerikan Donald Trump rritën shpresat për një përfundim të shpejtë të luftës me Iranin.
Çmimet e naftës u rrëzuan pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se Uashingtoni “i shtyu për pesë ditë çdo dhe të gjitha goditjet ushtarake kundër termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike të Iranit”.
Kjo vjen pasi Trump paralajmëroi gjatë fundjavës se SHBA-ja do t’i “zhdukte” termocentralet e Iranit nëse ai nuk do ta hapte plotësisht Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orësh, duke nxitur Teheranin të deklaronte se do t’i përgjigjej çdo goditjeje të tillë me sulme ndaj aseteve energjetike dhe të desalinimit në rajon.
Ministria e Jashtme e Iranit që atëherë ka mohuar çdo dialog me SHBA-në, sipas mediave të lidhura me shtetin.
Trump shkroi në rrjetet sociale të hënën se SHBA-ja kishte zhvilluar “bisedime produktive” me Iranin gjatë fundjavës “lidhur me një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të armiqësive tona në Lindjen e Mesme”.
Presidenti amerikan la të kuptohej gjithashtu se bisedimet do të vazhdonin gjatë gjithë javës.
Indekset kryesore evropiane të aksioneve nisën të fitonin terren pasi u hapën në rënie të hënën, me DAX-in në Frankfurt që u hodh mbi 2.4%, FTSE-në në Londër që u rrit me 0.4% dhe CAC 40 në Paris që fitoi gati 1.7% pas publikimit të komenteve.
Më herët të hënën, tregjet evropiane të aksioneve, ashtu si edhe ato aziatike, pësuan rënie të mëdha, kontratat e arit ranë me 8% dhe çmimet e naftës bruto vijuan të ngjiteshin mes pasigurisë së shtuar në Lindjen e Mesme.
Pas komenteve të Trumpit, nafta amerikane referencë ra nën 91 dollarë për fuçi, nga mbi 100 dollarë më herët. Nafta Brent, standardi ndërkombëtar, humbi afërsisht 10% dhe po tregtohej rreth 104 dollarë për fuçi në orët e para të mëngjesit në Evropë, nga më shumë se 113 dollarë në mëngjes.
Çmimi i naftës Brent ka luhatur fort kohët e fundit, nga rreth 70 dollarë për fuçi përpara fillimit të luftës deri në 119.50 dollarë.
Më herët të hënën, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se ekonomia globale përballet me një “kërcënim shumë, shumë të madh” për shkak të luftës me Iranin dhe se të paktën 40 asete energjetike në nëntë vende ishin dëmtuar.
Në Evropë, kontratat referencë të gazit natyror ranë nën 57 euro për MWh, nga 60 euro në hapje të tregut.
Në Azi, tregjet e aksioneve u mbyllën me humbje të ndjeshme, të ndikuara nga pasiguria rreth krizës në Lindjen e Mesme, me indeksin referencë Nikkei 225 të Japonisë që ra me 3.5%. Në Tajvan, Taiex humbi 2.5%, Kospi i Koresë së Jugut ra me 6.5%, Hang Seng i Hong Kongut u tkurr me 3.8%, ndërsa Shanghai Composite ra me 3.6%.
Çmimet më të larta të naftës, të cilat tronditën gjithashtu tregjet e aksioneve të premten, zbehën shpresat për një ulje të mundshme të normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së, thanë analistët.
Para luftës, tregtarët po bastisnin se Fed do t’i ulte normat të paktën dy herë këtë vit. Edhe bankat qendrore në BE, Japoni dhe Mbretërinë e Bashkuar së fundmi i mbajtën normat e interesit të pandryshuara.
S&P 500 ra me 1.5% të premten, duke mbyllur javën e katërt radhazi me humbje, seria e tij më e gjatë e tillë në një vit.
Dow Jones Industrial Average humbi 443 pikë, ose 1%, ndërsa Nasdaq Composite u rrëzua me 2%.
Në Wall Street, afërsisht tre nga çdo katër aksione në S&P 500 ranë të premten.
Aksionet e kompanive më të vogla, të cilat e ndiejnë më shumë presionin e normave të larta të interesit sesa rivalët e tyre më të mëdhenj, udhëhoqën rënien. Indeksi Russell 2000 i aksioneve të kompanive të vogla ra me 2.3%, më shumë se tregu në tërësi.
Në tregun e obligacioneve, yield-i i bonove 10-vjeçare të Thesarit amerikan e mbylli javën e kaluar me një rritje në 4.38% të premten, nga 4.25% vonë të enjten dhe nga vetëm 3.97% përpara se të niste lufta.
Yield-i i bonove dyvjeçare të Thesarit, që ndjek më nga afër pritshmëritë për atë që Fed mund të bëjë, u rrit në 3.88% nga 3.79%.
Në tregtinë valutore, dollari humbi ndaj euros pas komenteve të Trumpit; një euro tregtohej me 1.1582 dollarë, paundi u rrit me 0.3% dhe kushtonte 1.3380 dollarë, ndërsa një dollar kushtonte 158.75 jenë në orët e para të pasdites në Evropë.
Në zhvillime të tjera, ari po tregtohej në 4,398 dollarë pas lajmit, gati 4% më poshtë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

