Kostot në sektorin e ndërtimit u rritën në nivelin më të lartë të dekadës në tremujorin e tretë, kryesisht prej rritjes së çmimeve në lëndët e para. INSTAT raportoi se indeksi i Kushtimit në Ndërtim (INK), në tremujorin e tretë 2021 arriti 102,1 kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e tretë 2021 është 2,2 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 0,2 %.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime materiale” me 2,9 %, pasuar nga grupet “Kosto të tjera” me 2,4 %, “Shpenzime për paga” me 2,1 %, “Shpenzime transporti” me 2,0 %, “Shpenzime makinerie” dhe “Shpenzime energjie” me 1,4 % secili. Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale ndërtimi” shënoi rritjen më të lartë me 3,0 %.
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim mat koston e ndërtimit në banesa duke monitoruar ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10 kate).