Twistet e Presidentit Trump me tarifat, me lojën “ngriva-shkriva” vijojnë të japin efekte në bursa, si edhe në tregtimin e atyre që cilësohen si asete të sigurta. Një prej tyre, ari, i cili edhe më herët kishin pësuar një vlerësim të vazhdueshëm, pas deklaratave të Trump për tarifat ka arritur sot nivelin e tij më të lartë historik, duke tejkaluar shifrën e 3200 dollarëve për onc, ose për 28.3 gramë.

Gjithashtu, franga zvicerane, edhe kjo e vlerësuar si një aset i sigurt, ka arritur nivelin e saj më të lartë të vlerësimit ndaj dollarit në 10-vjeçarin e fundit. Monedha amerikane ka vijuar të humbasë pikë në kuotimet e saj në forex.
Rritja marramendëse e çmimeve të arit vjen në kohën kur tregjet kryesore të aksioneve në Wall Street pësuan rënie të enjten, ndërsa bursat aziatike shënuan rënie sot, në mbyllje të një jave plot të papritura dhe turbulenca. E ndërsa investitorët nuk po dinë më të parashikojnë sesi “do të zgjohet” Trump nesër, ajo që mbetet e sigurt për momentin mbetet investimi në lingota ari.

Sipas të dhënave të bursave ndërkombëtare, të konsultuara nga ekofin.al, çmimi i arit është rritur me 2% vetëm gjatë ditës së sotme, si edhe me 6.1% në muajin e fundit. Në gjashtë muajt e fundit, rritja e çmimit është akoma edhe më e ndjeshme, me 19.33%. Nuk dihen ende se deri ku do të shkojë çmimi i arit, por ajo që dihet me siguri, është se e ardhmja, është edhe më e paparashikueshme, me lëvizjet e fundit të Trump. /ekofin.al
