Në kohën kur po diskutohet projektbuxheti për vitin 2025 dhe nuk ka një paketë të re fiskale, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, së bashku me disa shoqata biznesi, kërkojnë nga qeveria që të ketë disa rishikime fiskale.
Në sektorin e bujqësisë, i cili është goditur ndjeshëm sidomos vitet e fundit, kërkohet ulje e TVSH-së për industrinë prodhuese agroushqimore në 5-7%, nga 20% që është aktualisht; të rivendoset shkalla e kompensimit të fermerëve në 20 %; kreditim me 75% të TVSH-së për shitjen e produktit bujqësor vendas nga subjektet që nuk janë objekt i TVSH; si dhe përjashtim nga TVSH për investimet në teknologji të gjelbërta.
Sa takon sektorit të ndërtimit, kërkohet rishikim i taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila sot llogaritet 4-8% ndaj çmimit të shitjes, duke sugjeruar që kjo taksë të llogaritet sipas vlerës së preventivit të punimeve dhe jo çmimit final të shitjes për m2. Gjithashtu kërkohet të rishikohet niveli i tarifës së depozitimit të dherave, me argumentin që është një tarifë e lartë dhe ndikon në kostot e ndërtimit.
Biznesi kërkon gjithashtu rimbursimin automatik të TVSH-së, rimbursimin e taksave doganore; taksave mjedisore dhe akcizave të paguara për lëndë të para dhe pjesë të produkteve që eksportohen. Përjashtimin e akcizës për lëndën djegëse që përdoret në procesin e prodhimit; përjashtim prej taksave doganore për të gjitha lëndët e para që shërbejnë për prodhim të produkteve të gatshme.
Gjithashtu, kërkohet të ndalohen transaksionet ekonomike në monedhë të huaj përmes vendosjes së penaliteteve dhe marrjen e masave për uljen e parasë fizike në qarkullim.
