Sipas raportimeve, zhvilluesi i ChatGPT po shqyrton mundësinë e një daljeje publike fillestare (IPO) që mund të vlerësojë kompaninë në 1 trilion dollarë (rreth 760 miliardë paund) që në vitin e ardhshëm — një nga listimet më të mëdha në historinë e tregjeve financiare.
Sipas burimeve të cituara nga Reuters, OpenAI po konsideron të paraqesë kërkesën për IPO në gjysmën e dytë të vitit 2026, duke synuar të mbledhë të paktën 60 miliardë dollarë.
Një dalje në bursë do t’i jepte kompanisë një rrugë të re për të siguruar kapital, duke mbështetur ambiciet e shefit ekzekutiv Sam Altman për të investuar triliona dollarë në ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe infrastrukturave të tjera që kërkohen për zgjerimin e shpejtë të chatbot-ëve të saj.
Gjatë një transmetimi të brendshëm për stafin të martën, Altman është cituar të ketë thënë:
“Mendoj se është e drejtë të thuhet se [IPO-ja] është rruga më e mundshme për ne, duke pasur parasysh nevojat për kapital që do të kemi.”
Megjithatë, një zëdhënës i OpenAI deklaroi:
“Një IPO nuk është fokusi ynë, ndaj nuk mund të kemi përcaktuar asnjë datë. Ne po ndërtojmë një biznes të qëndrueshëm dhe po përparojmë në misionin tonë që të gjithë të përfitojnë nga AGI.”
AGI (Artificial General Intelligence) i referohet “sistemeve shumë autonome që tejkalojnë njerëzit në shumicën e punëve me vlerë ekonomike”. OpenAI u themelua në vitin 2015 si organizatë jofitimprurëse, me misionin për të zhvilluar AGI në mënyrë të sigurt dhe në dobi të njerëzimit.
Por këtë javë, kompania përfundoi një ristrukturim të gjatë, duke e kthyer degën e saj kryesore në një shoqëri fitimprurëse, ndonëse kontrolli mbetet teknikisht te entiteti jofitimprurës. Ky ndryshim e bën më të lehtë për OpenAI të sigurojë investime të reja dhe të përgatisë terrenin për një IPO.
Në kuadër të marrëveshjes, Microsoft mori një pjesëmarrje prej rreth 27% në degën fitimprurëse, duke e vlerësuar OpenAI në 500 miliardë dollarë. Lajmi për ristrukturimin ndihmoi gjithashtu që vlera e Microsoft të kalonte për herë të parë 4 trilionë dollarë.
Sipas faqes së teknologjisë The Information, OpenAI ka gjeneruar 4.3 miliardë dollarë të ardhura në gjysmën e parë të këtij viti, por ka regjistruar edhe një humbje operacionale prej 7.8 miliardë dollarësh.
Këto vlerësime kolosale nuk po shuajnë shqetësimet se industria e inteligjencës artificiale po funksionon brenda një flluske financiare. Banka e Anglisë paralajmëroi këtë muaj se rritja e çmimeve të aksioneve të teknologjisë e nxitur nga “bumi” i AI mund të jetë e rrezikshme, duke theksuar se tregjet e kapitalit janë “veçanërisht të ekspozuara nëse pritshmëritë për ndikimin e AI bëhen më pak optimiste”./Përshtati nga The Guardian, ekofin.al
