Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin që synon të vendosë rregulla moderne dhe efektive për tregun e kripto-aseteve, një sektor që deri më sot ka funksionuar pa një kuadër të mirëfilltë ligjor. Dokumenti përfaqëson hapin më të rëndësishëm të Shqipërisë drejt ndërtimit të një tregu të sigurt, transparent dhe të mbikëqyrur për shërbimet dhe platformat që operojnë me kriptomonedha.
Projektligji parashikon licencimin e detyrueshëm për të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime kripto, duke përcaktuar se vetëm operatorët e autorizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ose Banka e Shqipërisë do të mund të ushtrojnë veprimtari si platforma tregtimi, këmbimi, ofrimi i shërbimeve të kujdestarisë, ekzekutimit të urdhrave apo administrimit të portofolave. Sipas MIE, ky mekanizëm synon të rrisë besueshmërinë e tregut, të minimizojë rreziqet për përdoruesit dhe të shmangë praktikat mashtruese që kanë karakterizuar segmentin informal.
Për herë të parë, projektligji rregullon edhe emetimin e stablecoin-eve, duke kërkuar që çdo token me vlerë të qëndrueshme të mbështetet nga rezerva reale. Kjo nënkupton se nëse emetohet një token i lidhur me euron, subjekti duhet të mbajë në bankë të njëjtën shumë euro sa tokenë ka në qarkullim. Ligji ndalon dhënien e interesit mbi këto instrumente, për t’i diferencuar ato qartë nga produktet financiare të kursimit.
Një rol të veçantë zë mbrojtja e konsumatorit. Çdo token i ri që ofrohet për publikun duhet të shoqërohet me një dokument informues të qartë, të detajuar dhe të verifikueshëm, ku përshkruhen rreziqet, modeli i funksionimit dhe teknologjia e përdorur. Reklamat mashtruese, informacionet e pasakta dhe praktikat e gabshme të marketingut ndalohen, ndërsa subjektet do të mbajnë përgjegjësi ligjore për çdo shkelje.
Projektligji vendos gjithashtu standarde të reja për integritetin e tregut, duke ndaluar manipulimin e çmimeve, përdorimin e informacionit të brendshëm dhe krijimin e urdhrave të rremë. Platformat që operojnë në Shqipëri do të duhet të instalojnë sisteme të brendshme për zbulimin dhe raportimin e çdo abuzimi, duke rritur ndjeshëm nivelin e mbikëqyrjes.
Në aspektin teknik dhe të sigurisë digjitale, kompanitë detyrohen të miratojnë politika të qarta për mbrojtjen e të dhënave, ruajtjen e çelësave privatë dhe menaxhimin e rreziqeve teknologjike. Asetet e klientëve duhet të mbahen gjithmonë të ndara nga asetet e vetë kompanisë, me qëllim garantimin e sigurisë në rast falimentimi ose problemeve operacionale.
Projektligji e lidh sektorin e kriptove me rregullat ekzistuese të parandalimit të pastrimit të parave, duke e bërë të detyrueshëm identifikimin e plotë të klientëve dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta. Në praktikë, kjo nënkupton fundin e mundësisë për të hapur llogari anonime për tregtim të kriptomonedhave në platforma shqiptare.
Drafti pritet të sjellë një transformim të rëndësishëm në mënyrën se si funksionon tregu i kripto-aseteve në Shqipëri, duke krijuar një mjedis më të sigurt për investitorët dhe duke e afruar vendin me praktikat dhe standardet europiane.

