Kolegji Profesional Gjerman i Teknologjisë (KPGJT) zhvilloi ceremoninë e diplomimit të studentëve, duke shënuar përfundimin e një etape të rëndësishme akademike dhe profesionale për brezin e dytë të të diplomuarve. Aktiviteti mblodhi studentë, prindër, drejtues të institucionit arsimor,përfaqësues të industrisë, institucioneve partnere dhe drejtues të Kastrati Group, duke theksuar rëndësinë e arsimit profesional të orientuar drejt tregut të punës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i KPGJT, Akademik Jorgaq Kaçani, vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin e studentëve gjatë dy viteve të studimit, duke theksuar se ky moment përfaqëson jo vetëm suksesin personal të të diplomuarve, por edhe konsolidimin e vizionit të institucionit si një model arsimor i lidhur ngushtë me industrinë.
“Gjatë këtyre dy viteve, studentët kanë kombinuar dijen teorike me praktikën profesionale, kjo në raportin 50% me 50% dhe kjo falë bashkëpunimit me universitete dhe kompani prestigjioze, si dhe mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dhe akreditimit nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë. Ky model tashmë po jep rezultate konkrete, me studentë që punësohen menjëherë pas diplomimit.”
Rektori theksoi gjithashtu se KPGJT ofron programe studimi në fusha shumë të kërkuara nga tregu i punës, si Teknologjia e Automobilave, Elektro-Mekanika, Elektrika dhe Elektronika, Menaxhimi i Ndërtimit dhe Sisteme Ngrohje, ventilimi dhe kondicionimi (HVAC), duke u hapur rrugën studentëve drejt një karriere të sigurt dhe të qëndrueshme.
Në ceremoninë e diplomimit, Prof. Luigi Galantucci, nga Universiteti Politeknik i Barit, vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të ndërthurjes së teorisë me praktikën:
“Ky është një rrugëtim shumë i rëndësishëm, i cili kombinon njohuritë teorike me praktikën për të plotësuar nevojat e kompanive dhe industrive. Është thelbësore të mendojmë për të ardhmen dhe të jemi gati për të eksploruar mundësi të reja dhe inovative.”
Ai theksoi se bashkëpunimi i nisur prej vitesh me Shqipërinë, fillimisht përmes UPT-së dhe tashmë përmes KPGJT, krijon vlera konkrete për studentët dhe industrinë përmes shkëmbimit të eksperiencave dhe qasjeve inovative.
Nga ana e tij, z. Genc Biçoku, përfaqësues i Kastrati Group, theksoi rolin strategjik të arsimit profesional në zhvillimin ekonomik të vendit:
“Arsimi profesional është një nga shtyllat më të rëndësishme për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës. Përmes KPGJT, ne krijojmë ura të forta mes arsimit dhe industrisë, duke përgatitur profesionistë të aftë për karriera afatgjata në Shqipëri.”
Në fjalën e tij, përfaqësuesi i shoqërisë së sigurimeve, Albsig, z.Arjon Dakoli theksoi se një pjesë e të diplomuarve të brezit të parë janë punësuar menjëherë nga Albsig dhe se tregu ka nevojë për profesionistë në këto fusha specifike.
Ceremonia u përshëndet edhe nga Prof. Mirlind Bruci, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, i cili vuri në dukje avantazhin e madh që ka Shqipëri në përgatitjen e profesionistëve dhe teknicienëve në këto sektorë, pasi sipas tij krijimi i një kolegji profesional nga vetë industria përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm.
Gjatë aktivitetit u bë e ditur gjithashtu se nga viti 2026, KPGJT do të hapë një degë të re studimi në fushën e turizmit, duke iu përgjigjur kërkesave në rritje të këtij sektori strategjik për ekonominë shqiptare.
Ceremonia u përmbyll me dorëzimin e diplomave dhe mesazhin inkurajues për studentët që të vazhdojnë të kontribuojnë me profesionalizëm, etikë pune dhe vizion në zhvillimin e vendit, si ambasadorë të denjë të KPGJT, institucion i krijuar dhe mbështetur nga Grupi Kastrati.



