Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me pensionistët, ku foli për ndryshimet e pritshme në skemën e pensioneve dhe rritjen e tyre në vitet në vijim. Ai theksoi se për një periudhë të gjatë, ndërhyrja kryesore ka qenë vetëm indeksimi i pensioneve, duke nënvizuar se kjo nuk përbën një rritje të mirëfilltë.
Sipas tij, kufizimet ekonomike kanë qenë pengesa kryesore për rritjen e pensioneve, por tashmë situata ekonomike ka krijuar mundësinë për ndryshime konkrete, duke paralajmëruar rritje të pensioneve duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm, si dhe reforma të mëtejshme në mbështetje të pensionistëve dhe kategorive në nevojë.
“E vetmja gjë që kemi bërë për vite të tëra ka qenë indeksimi i pensioneve, por kjo nuk është rritje në kuptimin e plotë të fjalës. Ajo që unë kam përsëritur në të gjitha rastet është se e vërteta na ka penguar në rritjen e pensioneve, sepse ekonomia nuk na mbështeste. Ashtu sikur kishim menduar, erdhi momenti që ekonomia na i mundësoi. Nga janari i këtij i viti që do vjen do të merrni pensione më të larta. Çdo vit do merrni rritje të pensioneve. Ne ndërkohë kemi diskutuar për të tjera ndryshime që do të bëjmë në skemën e pensioneve, duke filluar që të krijojmë edhe një hapësirë tjetër për të gjithë ata që duhen të kursejnë më shumë. Edhe për pensionistët duan që të punojnë, edhe atje ka hapësirë. Kemi diskutuar edhe mbështetjen për invalidin, të cilët duan të trajtohen në mënyrë të barabartë”, tha Rama.
Rama u ndal tek rritja e ekonomisë shqiptare ndër vite, duke nënvizuar se vendi ka kaluar në një nivel të ri zhvillimi.
Sipas tij, ekonomia shqiptare është rritur ndjeshëm, duke kaluar nga më pak se 10 miliardë euro në mbi 27 miliardë euro aktualisht. Kryeministri theksoi gjithashtu se vetëm në periudhën 2024–2025, të ardhurat për frymë kanë shënuar rritje me mbi 1 mijë euro, çka sipas tij dëshmon për përmirësimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.
“Thelbi i gjithë këtyre që po them është ekonomia, thelbi i ekonomisë sonë që po na i jep këto mundësi. Lajmi i mirë sot është që kemi kaluar në një tjetër nivel. E kemi marrë vendin nën 10 miliard euro, sot jemi mbi 27 miliard. Vetëm nga 2024-2025, të ardhurat për frymë janë mbi 1 mijë”, tha kryeministir Rama.
Jemi në kushtet ku edhe rritja ekonomike e qëndrueshme na ndihmon të adresojmë shumë cështje që s mund të adresoheshin më parë. sot jemi në 12 mil turistë vizitorë me pasaporta të huaja, nga 2 mln që e morëm në fillim. Kemi patur 300-400 miln euro investime të huaja, sot jemi në mbi 1.5 miliardë. Duke qenë se ju e njihni politikën më mirë, se 99% e deputetëve të parlamentit, ju them se kemi patur një rrugë të vështirë edhe për një arsye që është gjithmonë e më e pranishme.
Gjëra që ndodhin jashtë vullnetit tonë, nuk i vendosim ne por duhet të përballemi, nga pandemia, tërmeti, lufta në Ukrainë e tani lufta në Lindjen e Mesme, që vjen këtu te cmimi i naftës. Shpresojmë armëpushimi të cojë në zgjidhje përfundimtare para se simpotmat e cmimit të naftës të shfaqen te cmimet e ushqimeve.
Gjëja e parë që do mendojmë jeni ju, të tjerët vijnë pas. Dhe bashkë me ju edhe familjet në nevojë që janë në mbrojtjen ekonomike të qeverisë, për të cilat po përgatisim një skemë të re të bazuar te një kartë e shpenzimeve në bazë të shportës.
Rama deklaroi gjatë takimit me pensionistët se rritja e pagave ka ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e disa sektorëve kyç të shtetit, përfshirë edhe sigurimet shoqërore.
Ai theksoi gjithashtu se procesi i negociatave për integrimin evropian po vijon sipas planit, duke bërë të ditur se Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar, ku janë hapur të gjithë kapitujt dhe po diskutohen pika të ndërmjetme me vendet anëtare. Sipas Ramës, muajt mars dhe prill kanë qenë të parashikuar për këto diskutime intensive, ndërsa nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një interes madhor kombëtar për çdo shqiptar.
“Rritja e pagave shkon në ndihmë të shtetit në disa drejtime, një prej tyre edhe tek sigurimet shtetërore. Negociatat vazhdojnë sipas planit. Në këtë fazë jemi në fazën ku kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe po diskutojmë një sërë piketash të ndërmjetme. Fundi i marsit dhe prilli, ishin të planifikuara në kalendarin tonë, si diskutimi mes nesh dhe vendeve anëtare. Na ka ardhur sot ne në dore fati i këtij vendi dhe nuk i ka buzëqeshur kurrë fati Shqipërisë, ne kemi bërë provën dhe është në interesin e tyre që ne të na marrin brenda. Anëtarësimi jonë është interesi i çdo shqiptari”, tha kryeminsitri Rama.
