Financat publike të Shqipëri kanë hyrë në vitin 2026 me rritje të ndjeshme të të ardhurave buxhetore, ndërsa qeveria po mbledh më shumë para nga tatimet, TVSH-ja dhe sigurimet shoqërore. Megjithatë, pas shifrave pozitive fshihet edhe një realitet tjetër ekonomik: rritja e barrës fiskale mbi konsumin dhe biznesin në një periudhë kur ekonomia po përballet me kosto më të larta jetese dhe ngadalësim të investimeve.
Sipas performancës paraprake të treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën janar-prill 2026, të ardhurat totale në buxhet arritën në 275.7 miliardë lekë, ose 11.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, shteti ka mbledhur rreth 28.8 miliardë lekë më shumë se katërmujori i parë i vitit 2025.
Rritja e të ardhurave është mbështetur kryesisht nga administrata tatimore, e cila ka arkëtuar 98 miliardë lekë, me një rritje prej 7.1% krahasuar me vitin e kaluar. Ndikimin më të madh e ka pasur TVSH-ja në vend, e cila u rrit me 15.7%, duke arritur në 29.5 miliardë lekë.
Kjo rritje interpretohet si tregues i konsumit më të lartë nominal në ekonomi, por edhe i çmimeve më të larta. Në praktikë, qytetarët dhe bizneset po paguajnë më shumë TVSH jo domosdoshmërisht sepse po konsumojnë më shumë, por sepse produktet dhe shërbimet janë bërë më të shtrenjta.
Edhe të ardhurat nga taksat nacionale shënuan një rritje të fortë prej 15%, ndërsa fondet speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, u rritën me 12.5%, duke reflektuar rritjen e pagave dhe zgjerimin e bazës së kontributeve.
Nga ana tjetër, performanca e administratës doganore rezulton më e dobët krahasuar me tatimet. Të ardhurat doganore u rritën vetëm me 1.7%, ndërsa pothuajse të gjithë treguesit kryesorë mbetën nën planin e parashikuar.
TVSH-ja në import u rrit vetëm 1.4%, ndërsa renta minerare rezultoi me realizim vetëm 81.8% të planit. Kjo sinjalizon një ngadalësim të importeve dhe të aktivitetit në sektorët eksportues, veçanërisht në industrinë minerare, e cila prej muajsh po përballet me rënie të çmimeve ndërkombëtare dhe kërkesë më të dobët në tregjet globale.
Një tjetër element që bie në sy është fakti se të ardhurat nga tatimi mbi fitimin u realizuan në vetëm 87.4% të planit. Ky tregues shihet si sinjal se bizneset po operojnë me marzhe më të ngushta fitimi, në një kohë kur kostot operative janë rritur ndjeshëm.
Rritja e çmimeve të energjisë, transportit, pagave dhe lëndëve të para ka shtuar presionin mbi sipërmarrjen, sidomos për ndërmarrjet prodhuese dhe eksportuese. Në këtë kontekst, rritja e të ardhurave fiskale nuk përkthehet domosdoshmërisht në një ekonomi më të fortë, por edhe në një barrë më të madhe financiare për konsumatorët dhe biznesin.
Ndërkohë, shpenzimet publike për katërmujorin arritën në 221.6 miliardë lekë, me një rritje prej 6.2% ose 12.9 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, realizimi i shpenzimeve mbeti në 95.1% të planit, duke treguar se një pjesë e fondeve të programuara nuk janë ekzekutuar ende.
Kjo situatë ka prodhuar një suficit të konsiderueshëm buxhetor në katër muajt e parë të vitit, pasi ritmi i mbledhjes së të ardhurave ka qenë dukshëm më i lartë sesa ai i shpenzimeve.





