Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama tha se “shifra më domethënëse dhe më kuptimplotë që përkthen këtë rritje dhe këtë shëndet të ekonomisë tonë në ekonominë e familjeve është shifra e rritjes së pagave. Buxheti i 2024-ës ka praktikisht 400 milionë euro vetëm për rritje pagash”.
Më tej Kryeministri u shpreh se “Sot vërtet kemi një pagë minimale 400 mijë lekë të vjetra, por për shkak të shëndetit të ekonomisë dhe forcimit të lekut, kemi pagë minimale 400 euro dhe me rritjen që do t’i bëjmë pagave për mjekët e përgjithshëm, mësuesit, infermierët, Forcat e Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe punonjësit e administratës së shtetit do të arrijmë përpara kohës së parashikuar në mesin e vitit të ardhshëm do të arrijmë të kemi një pagë mesatare 900 euro. Një pagë mesatare 900 euro është një shifër domethënëse për të treguar atë që është bërë. Ambicia është për ende shumë më tepër. Por ama për të treguar se të gjitha reformat e bëra, këmbëngulja tek zbatimi i reformave dhe pavarësisht të gjitha atyre aspekteve të reformave që nuk janë ende të plotësuara, kemi sot mundësinë që të kemi këtë volum financimi masiv për rritjen e pagave. Paralelisht me këtë kemi 250 milionë euro të tjera që shkojnë për pensionet, qoftë për indeksimet, qoftë për bonuset e pensionistëve.”
Rama e përfundoi argumentin e tij duke thënë se kjo është rritja e dytë pas asaj të këtij viti dhe është një rritje që do të qëndroj.
