Volumet totale të tregtuara në tregjet e ALPEX-it gjatë vitit 2025 arritën në vlerën 1,670,734.1 MWh, duke shënuar një rritje prej 42.46% krahasuar me vitin 2024.
Sipas raportit vjetor të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX), faturimi total i transaksioneve në blerje-shitje arriti në 369.46 milionë euro, ndërsa çmimi mesatar klerues ishte 118.38 €/MWh, duke reflektuar rritjen e likuiditetit, pjesëmarrjen më të gjerë të aktorëve të tregut dhe një funksionim të mirë të procesit të çmim-formimit brenda kornizës së Tregjeve të Ditës në Avancë dhe atij të Ankandeve Brenda së Njëjtës Ditë.
Në raport theksohet se bashkimi i Tregjeve të Ditës në Avancë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka funksionuar në mënyrë të sigurt, me asnjë rast të Ndarjes së Plotë të Tregjeve (decouple).
Rrjedhja totale e energjisë ndërkufitare arriti në vlerën 351,152.95 MWh, duke konfirmuar përdorimin efecientë të kapaciteteve ndërkufitare dhe prodhuar çmime të njëjta midis dy zonave të ofertimit në 99.04% të MTU-ve.
ALPEX konsolidoi gjithashtu funksionimin e Tregut të Ankandeve Brenda të Njëjtës Ditë (CRIDAve). Gjatë vitit 2025, u tregtua një volum total prej 29,442.24 MWh, me një çmim mesatar klerues prej 139.17 €/MWh.
Gjatë vitit 2025 ALPEX mirëpriti 11 anëtarë të rinj burse dhe 1 anëtar të ri të përgjithshëm klerimi, duke arritur numrin total prej 45 anëtarë burse dhe 5 anëtarë të përgjithshëm klerimi në fund të vitit./ATSH

