Viti 2024 ishte relativisht pozitiv për bujqësinë, ku vihet re një rritje e përgjithshme e prodhimit. Referuar të dhënave të INSTAT, diferenca më e madhe vërehet te prodhimi i ullirit, pas një viti të vështirë 2023, ku rritja ishte afro 25%. Rritje kanë shënuar thuajse të gjitha kulturat bujqësore, ku në veçanti bie në sy rritja e prodhimit në serra me 4%.
Drithërat
Sasia e drithërave gjatë vitit të kaluar arriti në 649.919 tonë ku nivelin më të lartë të prodhimit e shënoi Qarku Fier me 149.252 tonë. Në vendin e dytë për sasinë e prodhimit u rëndit Elbasani që ndiqej nga Korça.
Perimet
Prodhimi i perimeve shënoi një rritje me 2,9% krahasuar me një vit më parë. 1.424.404 tonë ishte sasia e prodhuar ku 3 qarqet me prodhimin më të lartë ishin Fieri, Tirana dhe Berati Patatja shënoi rritje me 1,3 %, duke arritur në 277.824 tonë, ku qarku Korçë kryeson. Fasulet dhe bimët medicinale shënuan rritje përkatësisht me 4,6 % dhe 7,7 %, ndërsa bimët industriale pësuan rënie me 7,9 %.
Serrat
Prodhimi në serra përfaqëson 22,7 % të perimeve gjithsej, me një rritje vjetore 4,0 %. Qarku Fier kontribuon me 49,1 % dhe Berati me 30,2 % të këtij prodhimi.
Perimet e njoma
Perimet e njoma përbëjnë 66,1 % të prodhimit total, ku domatja, kastraveci dhe speci janë më të përfaqësuarat. Brenda perimeve të thata dhe bostanoreve dominojnë përkatësisht qepa e thatë me 83,9 % dhe shalqini me 80,2 %.
Dru frutorët
Rritje u pa edhe në prodhimin e druve frutorë gjatë vitit 2024. Prodhimi arriti në 295.532 tonë, duke shënuar rritje prej 3,1 %, me Qarkun Korçë si kontribuesin kryesor. Në pemët me farë, molla ka peshën më të madhe, ndërsa në pemët me bërthamë dominojnë kumbullat.
Ulliri
Prodhimi i ullirit arriti në 146.726 tonë, duke shënuar një rritje prej 24,6 %, krahasuar me një vit më parë. Qarku Vlorë është kontribuesi kryesor në prodhimin e agrumeve me 62,6 %, ndaj prodhimit gjithsej në vend, 59.162 tonë. /ekofin.al
