Banka e Shqipërisë vijon të këmbëngulë se nevojitet kujdes i shtuar nga ana e bankave në lidhje me aktivitetin e kreditimit dhe në veçanti për kreditë për pasuri të paluajtshme, që kanë njohur rritje të shpejtë gjatë muajve të fundit.
Referuar Raportit të Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të vitit, BSH thekson se kredia bankare shënoi rritje të ndjeshme gjatë periudhës, duke u zgjeruar me 11.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa në krahasim me fundin e vitit 2023, ajo u rrit me 7.1%.
Përshpejtimi i kreditimit është shoqëruar me një rritje të lehtë të stokut të kredive me probleme, ndonëse raporti i kredive me probleme ka mbetur në nivele të ulëta. Stoku i kredive me probleme u rrit gjatë periudhës me rreth 6%, duke u ngjitur në nivelin 37 miliardë lekë. Nga ana tjetër, për shkak të rritjes më të shpejtë të tepricës totale të kredisë, raporti i kredive me probleme zbriti në 4.7% në fund të qershorit, duke shënuar një përmirësim të lehtë të cilësisë së kredisë.
Banka e Shqipërisë konsideron gjithashtu se sektori bankar është më i ekspozuar ndaj rrezikut të normës së interesit për pozicionet në Lek, ato me normë interesi të ndryshueshme dhe për maturitetin afatgjatë.
Nisur nga faktorët e rritjes së kreditimit, por edhe rreziku i pranishëm i kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë kërkon që bankat tregtare të ndërmarrin masa që lidhen kryesisht me nevojën për të moderuar shpejtësinë e rritjes së kreditimit dhe për të rritur rezistencën e bankave ndaj ekspozimeve me rrezik.
Në fund të muajit qershor, Banka e Shqipërisë shpalli rritjen e normës kundërciklike të kapitalit (KUNC) me 25 pikë bazë, në nivelin 0.25%. Bankave iu komunikua mundësia e rritjeve të tjera në nivelin e këtij instrumenti, nëse kredia e përgjithshme ose ajo në segmente të veçanta të saj, vijon të rritet me ritme të shpejta. Një prej segmenteve të kredisë me rritjen më të shpejtë gjatë viteve të fundit është kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme. Për shkak të kërkesave të sektorit bankar për mbulimin e kësaj lloj kredie me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme, kjo lloj kredie dhe kolaterali mbështesin në mënyrë të ndërsjellë kahun e ndryshimit të vlerave të njëri-tjetrit, duke përforcuar ekspozimin e sektorit bankar ndaj zhvillimeve në tregun e pasurive të paluajtshme. Për këto arsye, kjo kategori kredie ka nevojë të vlerësohet në mënyrë të kujdesshme për të parandaluar apo trajtuar zhvillime që rezultojnë të paqëndrueshme, thekson Banka e Shqipërisë. /ekofin.al
