Banka e Shqipërisë vëren se rritja e pasigurisë në mjedisin global, ndikuar nga tarifat e vendosura nga SHBA, mund të sjellë ndikime edhe në vendin tonë.
Ndryshimet në politikat tregtare dhe paparashikueshmëria e tyre kanë krijuar një mjedis ekonomik të paqëndrueshëm, me ndikime potenciale negative në rritjen globale, kushtet e financimit dhe luhatshmërinë e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare, thekson BSH.
Treguesit paraprakë sinjalizojnë një përmirësim relativ të aktivitetit ekonomik gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, ndërkohë, ritmi i rënies së inflacionit është ngadalësuar dhe, në disa ekonomi, inflacioni ka ardhur në rritje në tremujorin e parë të vitit 2025.
Në Eurozonë, inflacioni u rrit në 2.3% në këtë periudhë nga 2.2% në tremujorin paraardhës, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar u rrit në 2.8%, nga 2.5%. Nga ana tjetër, inflacioni në SHBA qëndroi i pandryshuar në 2.7% në tremujorin e parë.
Bankat qendrore kanë vijuar të përshtatin me kujdes politikat e tyre monetare për të garantuar stabilitetin e çmimeve, në një kohë me rritje të ngadaltë ekonomike dhe pasiguri të lartë. BQE-ja dhe Banka e Anglisë kanë vijuar me lehtësimin e politikës monetare edhe gjatë tremujorit të parë, ndërsa Rezerva Federale e ndërpreu këtë cikël si pasojë e parashikimeve për një inflacion në rritje gjatë vitit. Në këtë mjedis, ndryshimet në politikat tregtare dhe mungesa e qartësisë po rrisin pasigurinë ekonomike dhe po ushqejnë pritje për një ngadalësim të rritjes globale.
Prej muajit shkurt, SHBA-ja ka shpallur dhe zbatuar disa raunde tarifash, ndërsa disa nga partnerët tregtarë kanë reaguar me masa të ngjashme. Situata kulmoi me 2 prill, kur SHBA-ja vendosi një tarifë bazë prej 10% për të gjitha importet, përfshirë edhe ato nga Shqipëria, si dhe tarifa shtesë për rreth 60 vende të tjera. Pas këtij vendimi, SHBA-ja dhe partnerët tregtarë ranë dakord për një periudhë 90-ditore negociatash, e cila vijon ende. Sipas parashikimeve më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, aktiviteti ekonomik botëror parashikohet të zgjerohet me ritme më të ngadalta gjatë periudhës 2025-2026.
Sipas raportit, ekspozimi i drejtpërdrejtë i Shqipërisë ndaj ekonomisë amerikane është i kufizuar dhe i përqendruar kryesisht në disa degë specifike të ekonomisë. Megjithatë, ndikime të tërthorta përmes ekonomisë së Eurozonës mbeten të mundshme. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë po monitoron me kujdes situatën për të vlerësuar – nëse do të ketë – ndikimet potenciale në ekonominë vendase. /ekofin.al
