Banka e Shqipërisë ka krijuar një program financimi për Biznesin Mikro, të Vogël dhe të Mesëm (BVM), me qëllim mbështetjen dhe adresimin e disa sfidave kryesore të tij. Programi u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikqyrës të BSH.
Një nga pengesat kryesore për biznesin është kostoja relativisht e lartë e kredisë bankare. Kjo gjë ndikohet nga mungesa e historikut financiar, pamundësia për të ofruar kolateral të përshtatshëm dhe niveli i ulët i kulturës financiare. Këto faktorë strukturorë e bëjnë më të shtrenjtë dhe më të vështirë qasjen e BVM-ve në tregun financiar, thuhet në analizën e BSH.
Programi synon midis të tjerash të reduktojë kostot e kredive për BVM-të, duke i bërë ato më të përballueshme dhe më të aksesueshme; si dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik nëpërmjet nxitjes së investimeve.
Si do të funksionojë ky program?
Programi do të realizohet përmes bankave tregtare, të cilat janë të licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë. Bankat pjesëmarrëse në program, do të kenë mundësi të përfitojnë fonde me afat relativisht të gjatë kohe dhe norma relativisht të ulëta interesi, kundrejt detyrimit që këto fonde t’i përdorin për kreditimin e biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm.
Bankat do t’i përdorin këto fondet për financimin e projekteve të investimit dhe afati i kredisë nuk do të jetë më i shkurtër se 3 vjet.
Norma maksimale e interesit të kredive të dhëna nga bankat tregtare për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme në kuadër të këtij programi nuk duhet të jetë më e madhe se 3.5%;
Programi është një instrument i përkohshëm, çfarë do të thotë se ka afat maksimal kohor për disbursimin e kredive. Po kështu bankat tregtare do të mund të kryejnë rifinancimin e këtyre kredive pranë Bankës së Shqipërisë për një afat kohor jo më të gjatë se pesë vjet.
Në të njëjtën kohë, programi vendos një limit maksimal për fondet e vëna në dispozicion, të përcaktuar në nivelin 25 miliardë lekë ose afërsisht 1% të PBB-së së vitit 2024, si dhe limite mbi sasinë maksimale që një biznes mikro, i vogël apo i mesëm, mund të përfitojë kredi në kuadër të këtij programi, të përcaktuar në nivelin 25 milionë lekë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ky program do të rrisë qëndrueshmërisë dhe forcimin e BVM-ve, si dhe do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare./ekofin.al