Kreditimi në pak minuta nga institucionet financiare jo-banka në Shqipëri ka marrë një kthesë të rëndësishme me kushtet e reja të vendosura nga Banka e Shqipërisë. Këto masa synojnë të rregullojnë më mirë tregun e kredive dhe të mbrojnë qytetarët nga borxhet e tepruara.
Një nga ndryshimet kryesore është ndalimi i dhënies së më shumë se dy kredive konsumatore për individë në të njëjtin institucion financiar jo-bankë. Kjo ka për qëllim të parandalojë situatat e vështira financiare, si ajo që erdhi në dritë pas skandalit me MCA e ‘Final’. Sipas projekt-rregullores, asnjë qytetar nuk do të mund të aplikojë për kredi nën moshën 18 vjeçare dhe huatë nuk do të miratohen nga ora 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit.
Po ashtu, institucionet jo-banka nuk do të lidhin kontrata kredie me individë me aftësi të kufizuara ose ata që marrin vendime nën asistencën e një personi tjetër. Për të garantuar një proces të drejtë dhe të përgjegjshëm, këto institucione do të duhet të bëjnë analiza të detajuara të gjendjes financiare të aplikantëve, duke vlerësuar të ardhurat, historikun e pagesave dhe çdo detyrim tjetër financiar.
Me këto masa, Banka e Shqipërisë kërkon të krijojë një ambient më të sigurt për kreditimin dhe të forcojë disiplinën financiare mes individëve dhe institucioneve.
“Subjekti vlerëson aftësinë aktuale dhe të ardhshme të kredimarrësit për të përmbushur detyrimet sipas kontratës së kredisë, duke konsideruar specifikat e saj (kredisë), të tilla si: llojin e kredisë, afatin e maturimit dhe normën e interesit. Në këtë vlerësim, subjekti merr në konsideratë edhe rritjen e normave të interesit në rastin e kontratave me norma të ndryshueshme, luhatjet e pafavorshme të kursit të këmbimit, etj”, thuhet në dokument.
Shkak për këto ndryshime është bërë skandali me mikrokreditë. Por megjjthë ndryshimet e parashikuara, sërish çështja e rritjes së penaliteteve pa limit nga ana e përmbaruesve dhe shoqërive të ngarkuara me mbledhjen e borxheve të këqija, që u bë shkak edhe për skandalin me kompanitë MCA dhe Final, mbetet e paadresuar.
