Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve, ka nisur punën për hartimin e Taksonomisë së Gjelbër për Shqipërinë, të bazuar në standardet evropiane. Nisma synon krijimin e një sistemi të qartë klasifikimi të aktiviteteve ekonomike, që do të ndihmojë në orientimin e investimeve dhe financimit drejt projekteve të qëndrueshme.
Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, e bëri të ditur këtë gjatë konferencës “Shndërroni standardet e Mjedisit, Shoqërisë dhe Qeverisjes në Vlerë Biznesi – Konkurrueshmëria dhe rritja e qëndrueshme Shqipëri-Kosovë”, të zhvilluar më 6 tetor në Tiranë.
Konferenca, e organizuar nga Albanian ESG Network, AmCham Albania dhe AmCham Kosovo, u fokusua te ndikimi në rritje i standardeve ESG në konkurrueshmërinë e bizneseve, aksesin në tregjet evropiane, financimin dhe investimet, veçanërisht në kushtet e procesit të integrimit evropian.
Ahmetaj tha se zhvillimet globale, Axhenda 2030 dhe afrimi me Bashkimin Evropian e kanë kthyer qëndrueshmërinë nga një objektiv afatgjatë në një çështje që kërkon përshtatje të menjëhershme nga bizneset, institucionet dhe sektori financiar.
Për kompanitë shqiptare, kjo do të thotë se krahas aktivitetit të tyre tradicional do të duhet të vlerësojnë gjithnjë e më shumë ndikimet dhe rreziqet klimatike, të përshtaten me kërkesat rregullative evropiane dhe të realizojnë investimet e nevojshme për kalimin drejt modeleve më të qëndrueshme të zhvillimit.
Një rol veçanërisht të rëndësishëm në këtë proces pritet ta ketë sektori bankar. Në kushtet kur bankat mbeten burimi kryesor i financimit të ekonomisë shqiptare, Ahmetaj theksoi se funksioni i tyre nuk do të kufizohet vetëm te plotësimi i kërkesave të reja për raportimin dhe menaxhimin e rreziqeve.
Sipas saj, bankat do të duhet të luajnë një rol edhe në orientimin e kapitalit drejt projekteve dhe aktiviteteve që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm. Për këtë arsye, ajo kërkoi krijimin e një “gjuhe të përbashkët” mes bankave dhe bizneseve, në mënyrë që kërkesat e reja për informacion, raportim dhe vlerësim të rrezikut të mos shihen vetëm si barrë rregullative, por të përkthehen në mundësi financimi dhe investimi.
Në këtë drejtim merr rëndësi edhe hartimi i Taksonomisë së Gjelbër. Ky instrument synon të përcaktojë më qartë se cilat aktivitete ekonomike mund të klasifikohen si të qëndrueshme, duke krijuar një bazë të përbashkët për bankat, bizneset dhe investitorët.
Ahmetaj theksoi se funksionimi i një arkitekture të tillë kërkon të dhëna të besueshme dhe transparente. Pikërisht në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane e Investimeve kanë ndërmarrë punën për Taksonominë e Gjelbër të Shqipërisë, duke u mbështetur te standardet evropiane.
Përshtatja me këto standarde merr rëndësi edhe për aksesin e kompanive shqiptare në tregjet dhe financimet evropiane. Me avancimin e procesit të integrimit, kërkesat që lidhen me qëndrueshmërinë, raportimin dhe administrimin e rreziqeve pritet të bëhen gjithnjë e më të pranishme në marrëdhëniet mes bizneseve dhe institucioneve financiare.
