Banka e Shqipërisë po përgatit një paketë ndryshimesh në rregullat e funksionimit të tre prej infrastrukturave kryesore të pagesave në vend, sistemit AIPS për pagesat ndërbankare me vlerë të madhe në lekë, AIPS EURO për transfertat vendase në euro dhe AECH për klerimin e pagesave me vlerë të vogël.
Ndryshimet prekin në mënyrë të veçantë pjesëmarrjen e institucioneve jobanka në këto sisteme, administrimin e likuiditetit të tyre, lidhjen me sistemin e ri të pagesave të menjëhershme, si dhe kërkesat për sigurinë, teknologjinë dhe vazhdimësinë e aktivitetit.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është përcaktimi më i qartë i kategorisë së “OSHP jobankë”. Në këtë kategori përfshihen institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike të licencuara dhe të rregulluara sipas ligjit “Për shërbimet e pagesave”, me përjashtimet e parashikuara nga vetë ligji. Në AIPS, përkufizimi i pjesëmarrësit zgjerohet duke iu referuar kategorive të përcaktuara nga ligji “Për sistemin e pagesave”.
Ndryshimet krijojnë një kuadër të posaçëm që u mundëson institucioneve jobanka të marrin pjesë drejtpërdrejt në sistemet e pagesave, por duke iu nënshtruar kushteve të shtuara. Për AECH, për shembull, një OSHP jobankë që kërkon pjesëmarrje të drejtpërdrejtë duhet të plotësojë kërkesa për infrastrukturën e teknologjisë së informacionit, lidhjen e sigurt dhe të pandërprerë me sistemin, kapacitetin për inicimin dhe përpunimin e pagesave dhe masat e sigurisë kibernetike dhe të informacionit. Drejtuesit duhet gjithashtu të deklarojnë përmbushjen e kërkesave dhe përgjegjësinë e institucionit edhe kur një pjesë e shërbimeve sigurohet përmes palëve të treta.
Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë rezervon të drejtën që t’i kërkojë një institucioni jobankë që merr pjesë në mënyrë të tërthortë në AECH të kalojë në pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, nëse vëllimi ose vlera e transaksioneve të tij e justifikon këtë ndryshim.
Risi e rëndësishme është edhe lidhja e AIPS dhe AIPS EURO me sistemin e ri të pagesave të menjëhershme, i identifikuar në dokumente si “XXX (TIPS Clone Albania)”. Ky sistem përcaktohet si infrastruktura elektronike për përpunimin e pagesave të menjëhershme në lekë dhe euro, që do të mundësojë shkëmbimin dhe shlyerjen e pagesave 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit.
AIPS dhe AIPS EURO do të përdoren ndër të tjera edhe për lëvizjen e likuiditetit drejt dhe nga sistemi i pagesave të menjëhershme. Në AIPS EURO, rregullorja e re e përfshin shprehimisht sistemin e pagesave të menjëhershme në bazën e akteve me të cilat duhet të harmonizohet funksionimi i sistemit.
Për institucionet jobanka vendosen ndërkohë kufij të posaçëm për fondet që mund të mbajnë në këto infrastruktura. Në AIPS parashikohet një “vlerë maksimale e mbajtjes në Lek”, ndërsa në AIPS EURO vendoset koncepti analog i “vlerës maksimale të mbajtjes në Euro”.
Në rastin e AIPS, shuma totale që një OSHP jobankë mban në fund të ditës në llogaritë e saj në lekë në AIPS dhe në sistemin e pagesave të menjëhershme nuk duhet të kalojë kufirin maksimal të përcaktuar për të. Për një institucion që ka të paktën 12 muaj aktivitet, kufiri përcaktohet në nivelin e dyfishit të vlerës më të lartë ditore të pagesave dalëse për klientët gjatë 12 muajve të fundit, duke përjashtuar transfertat e tjera të likuiditetit.
Për institucionet me histori aktiviteti më të shkurtër se 12 muaj, kufiri përcaktohet mbi bazën e dyfishit të vlerës maksimale ditore të parashikuar të pagesave dalëse. Gjatë vitit të parë të pjesëmarrjes, Banka e Shqipërisë do ta rillogarisë kufirin çdo muaj gjatë tremujorit të parë dhe më pas çdo tremujor. Pas 12 muajve, rillogaritja bëhet një herë në vit, ndërsa Banka e Shqipërisë ruan mundësinë për rishikime të jashtëzakonshme.
E njëjta logjikë vendoset edhe për fondet në euro në AIPS EURO. Rregullorja shton posaçërisht konceptin e llogarisë për mbrojtjen e fondeve të klientëve, duke e dalluar atë nga llogaria e shlyerjes që një institucion jobankë përdor në sistem. Përkufizimi i ri e konsideron llogarinë për mbrojtjen e fondeve si një llogari të veçantë të OSHP-së jobankë pranë një banke, ku fondet e klientëve ndahen nga fondet e vetë institucionit.
Kjo ndarje është e rëndësishme, pasi llogaritë e shlyerjes pranë Bankës së Shqipërisë nuk konceptohen si llogari për ruajtjen apo mbrojtjen e fondeve të klientëve. Fondet që mbahen në AIPS apo AIPS EURO duhet të shërbejnë për nevojat e shlyerjes së pagesave dhe jo si mekanizëm për ruajtjen e fondeve të klientëve.
Institucionet jobanka do të duhet gjithashtu të kenë procedura të administrimit të likuiditetit ditor dhe plane emergjence. Ato duhet të jenë në gjendje të mbulojnë detyrimet e shlyerjes gjatë ditës, të kenë burime alternative likuiditeti dhe të reduktojnë fondet në llogaritë e shlyerjes në fund të ditës në mënyrë që të respektojnë kufirin maksimal.
Ndryshe nga bankat, OSHP-të jobanka nuk do të kenë akses në linjat e kreditimit apo mbështetjen me likuiditet të Bankës së Shqipërisë. Kreditimi brenda ditës dhe kredia njëditore mbeten instrumente për pjesëmarrësit banka.
Paketa vendos edhe më shumë rregulla për pjesëmarrjen e tërthortë. Banka e Shqipërisë mund t’u kërkojë pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë të mbajnë llogari rezervë të veçanta për nënpjesëmarrësit dhe mund të kufizojë numrin e tyre për të reduktuar rrezikun e kreditit, likuiditetit dhe përqendrimit.
Marrëveshja mes një pjesëmarrësi shlyerës dhe një OSHP-je jobankë që operon si nënpjesëmarrëse duhet të përmbajë, ndër të tjera, kufijtë e ekspozimit dhe vlerën maksimale ditore të transaksioneve, procedurën e ndërprerjes së marrëveshjes dhe mekanizmin për trajtimin e urdhërpagesave në pritje në rast ndërprerjeje të papritur.
Rregullat bëhen më të detajuara edhe për rastet e problemeve teknike. Në AIPS, kërkesat që Banka e Shqipërisë të regjistrojë një transaksion në emër të pjesëmarrësit për shkak të pamundësisë teknike kufizohen te pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë banka dhe duhet të mbërrijnë të paktën 30 minuta përpara orarit përfundimtar “cut-off”. Edhe për AECH përcaktohet se kërkesat në rast të mosfunksionimit të rrjetit duhet të mbërrijnë përpara përfundimit të cut-off-it.
Ndryshimet shtojnë gjithashtu dispozita të posaçme për masat administrative. Në rast shkeljeje të rregulloreve, Banka e Shqipërisë mund të marrë masa parandaluese, të urdhërojë ndërprerjen e veprimeve në kundërvajtje dhe korrigjimin e pasojave, si dhe të aplikojë masat administrative që parashikon ligji “Për sistemin e pagesave”.
Në tërësi, paketa e ndryshimeve për AIPS, AIPS EURO dhe AECH përgatit infrastrukturën shqiptare të pagesave për një treg ku bankat nuk do të jenë më të vetmet institucione me rol të drejtpërdrejtë në sistemet kryesore të pagesave. Institucionet e pagesave dhe të parasë elektronike marrin një rol më të gjerë, ndërsa paralelisht vendosen kufizime për likuiditetin, kërkesa teknologjike dhe të sigurisë dhe mekanizma më të fortë për kontrollin e rrezikut. Rregullorja aktuale e AECH e parashikon tashmë pjesëmarrjen e bankave dhe institucioneve të tjera të pranueshme, ndërsa ndryshimet e reja e detajojnë posaçërisht regjimin për OSHP-të jobanka.
Njëkohësisht, përfshirja në rregulloret e AIPS dhe AIPS EURO e infrastrukturës së pagesave të menjëhershme 24/7/365 krijon bazën operative për ndërveprimin mes sistemeve tradicionale të shlyerjes dhe sistemit të ri të pagesave të menjëhershme në lekë dhe euro. /ekofin.al
