Sistemi financiar ka ruajtur qëndrueshmërinë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa sektori bankar ka vijuar zgjerimin e aktivitetit, i mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave dhe kreditimit. Megjithatë, fitimi neto i bankave rezultoi më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa pasiguritë që vijnë nga zhvillimet ndërkombëtare mbeten një burim i rëndësishëm rreziku.
Këto janë disa nga përfundimet kryesore të Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e 2 shtatorit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, aktiviteti i sistemit financiar gjatë kësaj periudhe është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme. Zgjerimi i sektorit bankar ka vijuar me ritme të mira, me kontributin kryesor të rritjes së depozitave.
Likuiditeti i siguruar nga depozitat është orientuar kryesisht drejt kreditimit të ekonomisë dhe investimeve në tituj, duke mbështetur rritjen e aktivitetit të bankave.
Në anën tjetër, rezultati financiar neto i sektorit bankar, megjithëse mbeti pozitiv, ishte më i ulët krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rreziqet që burojnë nga lidhjet mes sektorit bankar dhe segmenteve të tjera të sistemit financiar, por edhe ato që lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin e bankave, mbeten në nivele të kontrolluara.
Edhe treguesit e rezistencës financiare dhe rezultatet e provave të rezistencës tregojnë se bankat shqiptare kanë kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me rreziqet e identifikuara.
Megjithatë, autoriteti mbikëqyrës përsërit rekomandimin për forcimin e sistemeve të parandalimit dhe administrimit të rreziqeve, si dhe për ruajtjen e niveleve të përshtatshme të kapitalizimit.
Vlerësimi pozitiv për sistemin financiar mbështetet edhe nga zhvillimet e ekonomisë reale. Gjatë gjysmës së parë të vitit, ekonomia ka përfituar nga ecuria e mirë e konsumit dhe investimeve, si dhe nga performanca pozitive dhe e qëndrueshme e sektorit të turizmit.
Rritja ekonomike është shoqëruar gjithashtu me rritjen e punësimit dhe të pagave, ndërsa politika fiskale, sipas Bankës së Shqipërisë, ka mbetur e kujdesshme. Në të njëjtën kohë, pesha e borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto ka vijuar tendencën rënëse.
Një element që kërkon vëmendje është rikthimi i presioneve inflacioniste. Zhvillimet ndërkombëtare dhe ato të brendshme kanë sjellë rritje të këtyre presioneve, ndonëse norma e inflacionit vijon të qëndrojë pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Rreziqet kryesore për ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar lidhen aktualisht me mjedisin e jashtëm. Konfliktet gjeopolitike dhe tensionet tregtare po mbajnë të lartë pasigurinë ndërkombëtare dhe mund të ndikojnë edhe në zhvillimet ekonomike e financiare në vend. /ekofin.al
