Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e katërt të vitit 2025, duke vlerësuar se ekonomia shqiptare ka vijuar një trajektore pozitive zhvillimi gjatë gjysmës së dytë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja solide e aktivitetit ekonomik, mbajtja e inflacionit nën kontroll dhe përmirësimi i treguesve kryesorë makroekonomikë dhe financiarë konfirmojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë.
Inflacioni mesatar gjatë muajve tetor dhe nëntor rezultoi në 2.2%, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me tremujorin e tretë. Kjo ecuri u ndikua kryesisht nga ulja e inflacionit të artikujve ushqimorë, frenimi i rritjes së çmimeve të qirasë dhe zbehja e ndikimit negativ të çmimeve të naftës. Banka vlerëson se presionet e brendshme inflacioniste mbeten në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve, ndërsa presionet e jashtme janë dobësuar më tej si pasojë e rënies së çmimeve të lëndëve të para dhe mbiçmimit të lekut.
Rritja ekonomike ka vijuar me ritme të ngjashme me gjashtëmujorin e parë, ku ekonomia u zgjerua me 3.6%. Të dhënat nga sektori real, monetar dhe fiskal tregojnë rritje të konsumit, investimeve dhe eksporteve të shërbimeve, me turizmin që mbetet një nga kontribuuesit kryesorë. Vetëm në tremujorin e tretë, shërbimet e turizmit u rritën me rreth 22%, duke ndihmuar në përmirësimin e pozicionit të jashtëm të vendit. Për herë të parë në periudhën post-tranzicion, Shqipëria regjistroi suficit të llogarisë korrente gjatë tre tremujorëve të parë të vitit.
Përmirësimi i aktivitetit ekonomik është reflektuar edhe në tregun e punës. Papunësia zbriti në 8.1% në tremujorin e tretë, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.8%. Banka vlerëson se rritja e pagave ka mbështetur fuqinë blerëse të familjeve pa krijuar presione shtesë inflacioniste, megjithëse kërkesa e lartë për punë dhe kufizimet në ofertën e fuqisë punëtore mbeten një rrezik potencial për inflacionin.
Politika monetare ka ndjekur një kah akomodues gjatë vitit 2025, me uljen e normës bazë të interesit në korrik dhe ndërhyrje të vazhdueshme në tregun valutor për të zbutur presionet mbi kursin e këmbimit. Kjo ka kontribuar në stabilitetin financiar, norma të ulëta interesi dhe zgjerim të qëndrueshëm të kreditimit. Kredia për sektorin privat u rrit me 14.2% në tetor, e nxitur kryesisht nga kreditë për investime dhe nga rritja e kredisë në lek, ndërsa cilësia e portofolit mbetet e qëndrueshme, me kredi me probleme në nivelin 4.3%.
Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, normën e depozitës njëditore në 1.5% dhe normën e kredisë njëditore në 3.5%. Banka e Shqipërisë vlerëson se ky qëndrim i politikës monetare ofron një balancë të përshtatshme mes nxitjes së rritjes ekonomike në afatin e shkurtër dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.
Parashikimet për të ardhmen mbeten pozitive. Ekonomia pritet të rritet pranë potencialit të saj në afatin e mesëm, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin 3% gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Banka thekson se vendimmarrja e ardhshme do të mbetet e kushtëzuar nga informacioni i ri, zhvillimet e brendshme inflacioniste, politika fiskale, ecuria e kursit të këmbimit dhe situata në tregjet ndërkombëtare. /ekofin.al
