Licencimi i “Degës së Bankës Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania” nga Banka e Shqipërisë shënon hyrjen e një tjetër aktori ndërkombëtar në tregun bankar shqiptar, në një periudhë kur sektori financiar po vijon zgjerimin dhe konkurrenca mes bankave po intensifikohet. Vendimi është marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e datës 6 maj 2026, pas përfundimit të procedurave të licencimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur nga banka turke, por është njoftuar sot nga BSH.
Sipas njoftimit zyrtar, dega e re do të ushtrojë veprimtari bankare dhe financiare në përputhje me kushtet dhe kërkesat e licencës së miratuar nga Banka e Shqipërisë, bazuar në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe rregulloren për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në vend.
Procesi i hyrjes së Ziraat Bank në Shqipëri kishte nisur që në vitin 2025. Me vendimin nr. 38/2025 të Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë kishte dhënë miratimin paraprak për licencimin e “Degës së Bankës Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania”, ndërsa tashmë institucioni ka marrë licencën përfundimtare për të operuar në treg.
Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S. konsiderohet një nga institucionet financiare më të mëdha në Turqi dhe rajon, me një shtrirje të gjerë ndërkombëtare dhe prezencë në disa vende. Hyrja e saj në Shqipëri pritet të rrisë konkurrencën në sektorin bankar, veçanërisht në financimin e bizneseve, tregtinë dhe marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Sektori bankar shqiptar ka kaluar në vitet e fundit një fazë konsolidimi dhe zgjerimi të aktivitetit kreditues, ndërsa hyrja e aktorëve të rinj shihet si tregues i interesit të vazhdueshëm për tregun vendas. Aktualisht, bankat me kapital të huaj dominojnë sistemin bankar shqiptar, ndërsa investimet turke kanë rritur praninë në disa sektorë të ekonomisë shqiptare, nga bankingu dhe energjia, deri tek infrastruktura dhe ndërtimi. /ekofin.al

