Në vlerësimin e saj për projektbuxhetin e vitit 2026, Banka e Shqipërisë ka rekomanduar forcimin e administratës tatimore dhe digjitalizimin e proceseve fiskale, si dhe rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve, për t’u përballur me sfidat e demografisë dhe të qëndrueshmërisë së sistemit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
“Treguesit fiskalë dhe demografikë pritet të ushtrojnë trysni të shtuar mbi financat publike në të ardhmen, duke bërë të domosdoshëm ndërmarrjen e reformave shtesë që do garantonin reduktimin e vulnerabiliteve fiskale të lidhura me to. Banka e Shqipërisë rekomandon rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve, me qëllim kontrollin e mbështetjes së drejtpërdrejtë të saj nga buxheti i shtetit; zhvillimin dhe promovimin e shtyllës së dytë dhe të tretë të pensioneve, përmes mekanizmave fiskalë dhe rregullatorë nxitës; integrimin e analizës së rreziqeve demografike dhe fiskale në kuadrin afatmesëm të programimit buxhetor, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së”,tha Zëvendësguvernatorja Luljeta Minxhozi në Komisionin e Ekonomisë.
Ajo e vlerësoi pozitivisht projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, duke theksuar se ai zhvillohet në një kontekst makroekonomik të qëndrueshëm.
“Ekonomia shqiptare ka shfaqur rritje të qëndrueshme gjatë katër viteve të fundit, me përmirësim të treguesve të punësimit, të pagave dhe të sektorit financiar, ndërsa inflacioni mbetet nën kontroll. Këto trende pritet të vijojnë edhe gjatë vitit 2026”, deklaroi Minxhozi.
Sipas saj, politika fiskale duhet të mbetet e ekuilibruar dhe neutrale, duke ruajtur një deficit buxhetor prej 2,3% të PBB-së dhe duke vijuar uljen graduale të borxhit publik.
Projektbuxheti i vitit 2026, sipas Bankës së Shqipërisë, ruan një hapësirë të konsiderueshme për investime publike në nivelin 6,5% të PBB-së, falë një balance korrente pozitive prej 4,3% të PBB-së.
Minxhozi theksoi se për një vend në zhvillim si Shqipëria, këto investime janë thelbësore për të rritur produktivitetin dhe potencialin ekonomik, ndaj është e rëndësishme të ruhet ky ekuilibër përmes kontrollit të shpenzimeve korrente dhe zgjerimit të bazës së të ardhurave.
Banka e Shqipërisë vlerësoi gjithashtu nivelin e ulët të huamarrjes së parashikuar në projektbuxhet, ku mbi 70% e financimit do të sigurohet nga tregu i brendshëm.
Një tjetër aspekt pozitiv që vlerësoi Banka e Shqipërisë është rritja e formalizimit të ekonomisë, që ndihmon në zgjerimin e bazës tatimore dhe në forcimin e qëndrueshmërisë fiskale.
Në përfundim, institucioni thekson rëndësinë e forcimit të kapaciteteve për menaxhimin e projekteve të Partneritetit Publik Privat (PPP) dhe mbikëqyrjen e detyrimeve që ato krijojnë për buxhetin e shtetit.

