Banka e Shqipërisë vlerëson se çmimet e pasurive të paluajtshme shënuan një rritje të fortë gjatë vitit të kaluar.
Pas rënies në periudhën e mëparshme, vrojtimi tregon se Indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi u rrit me 23.6% në terma gjashtëmujorë, dhe me 44.5% ndaj një viti më parë.
Sipas vrojtimit të posaçëm të Bankës së Shqipërisë, kërkesa e përgjithshme për blerje në tregun e pasurive të paluajtshme rezidenciale gjatë periudhës ka qenë e qëndrueshme, ndërkohë që kërkesa nga jorezidentët ka rënë lehtë.
Numri i pronave të pashitura ka vijuar të bjerë për disa gjashtëmujorë radhazi, po ashtu edhe koha mesatare e shitjes është shkurtuar lehtë, për shkak të rënies së kohës së shitjes për pronat e shitura në kryeqytet. Rritja e kredisë bankare për blerje dhe zhvillim pasurish të paluajtshme ka mbështetur qëndrueshmërinë e kërkesës. Bankat kanë shtrënguar disi standardet për këtë lloj kredie dhënë individëve.
Në tërësi, rritja e ofertës së njësive të banimit, sipas numrit të lejeve të ndërtimit, ishte më e ulët në krahasim me një vit më parë, por sipërfaqet për ndërtimet e reja paraqiten më të mëdha. Pesha e kredisë bankare për ndërtim nuk ka shënuar ndryshime gjatë periudhës.
Kostot e ndërtimit janë rritur, kryesisht për shkak të rritjes në shpenzimet për paga, energji dhe transport.
Rritja e vlerës së indeksit për Tiranën ishte gjithashtu e fortë. Po ashtu, edhe çmimet e qirasë janë rritur. Agjentët ruajnë një vlerësim pozitiv në lidhje me ecurinë e tregut të banesave në periudhën afatshkurtër, dhe mbeten optimistë për zhvillimet në një periudhë më afatgjatë./ekofin.al

