Prishtinë – Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka ndërmarrë një hap historik drejt rregullimit të tregut të kripto-aseteve, duke miratuar Rregulloren për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve. Ky zhvillim bazohet në Ligjin Nr. 08/L-295 për Kripto-Asete dhe është hartuar në përputhje me Rregulloren e BE-së për Tregjet e Kripto-Aseteve (MiCA).
Në procesin e hartimit, BQK ka punuar ngushtë me autoritetet përgjegjëse për zbatimin e ligjit dhe ka pasur mbështetje teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke siguruar që korniza të reflektojë praktikat më të mira ndërkombëtare.
Rregullorja vendos bazat për krijimin e një tregu të rregulluar, transparent dhe të qëndrueshëm për kripto-asetet në Kosovë. Ajo përcakton kriteret për aplikim dhe marrjen e licencës,
kërkesat për kapital dhe qeverisje korporative, rregullat për ruajtjen e fondeve të klientëve, detyrimet për transparencë, shpalosje dhe profesionalizëm, masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe procedurat për masa korrigjuese dhe administrative.
Këto rregulla mbulojnë operatorët që ofrojnë shërbime këmbimi të kripto-aseteve, si me monedha fiat ashtu edhe me kripto-asete të tjera, përfshirë edhe funksionimin e ATM-ve të dedikuara për kripto.
Sipas BQK-së, miratimi i kësaj rregulloreje përbën vetëm hapin e parë drejt ngritjes së një kuadri të plotë rregullator dhe mbikëqyrës për këtë sektor. Institucioni parashikon një qasjes graduale të zhvillimit të tregut, duke përfituar nga asistenca e vazhdueshme e FMN-së dhe duke u përafruar me standardet e BE-së.
Për të shpjeguar më tej kornizën ligjore dhe qasjen rregullatore të re, BQK ka paralajmëruar organizimin e një sesioni informues, ku do të ftohen palët e interesuara – përfaqësues të sektorit financiar, operatorë të mundshëm të kripto-aseteve, si dhe ekspertë të tregjeve financiare.
Në njoftimin zyrtar, BQK thekson se mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të kornizës ligjore dhe mbikëqyrëse, ruajtjes së stabilitetit financiar si dhe nxitjes së zhvillimit të një tregu modern të kripto-aseteve në Kosovë. Kjo qasje e kujdesshme, sipas bankës, është në linjë me praktikat më të mira evropiane, duke u synuar që Kosova të krijojë një ambient të sigurt dhe tërheqës për inovacionin financiar. /ekofin.al

