155.2 miliardë lekë vlerësohen detyrimet e papaguara në drejtim të tatimeve, nga bizneset dhe institucionet publike, në fund të vitit 2023. Kjo shifër është 6% më e lartë, ose 8.4 miliardë lekë më shumë sesa vitin paraardhës. Referuar të dhënave nga tatimet, të siguruara nga Ekofin, rezulton se principali i detyrimeve tatimore të akumuluara përben rreth 61% të shumës totale, ndërsa pjesë tjetër prej 39% janë penalitetet dhe kamatëvonesat.
Gjithashtu, nga shuma e përgjithshme prej rreth 1.56 miliardë euro, rreth 141 milionë euro janë detyrime në proces gjyqësor, që përbëjnë rreth 9% të stokut të përgjithshëm të detyrimeve tatimore.
Sipas të dhënave që disponon Ekofin, TVSH zë pjesën më të madhe në totalin e borxhit tatimor, me 55.3 miliardë lekë, ose 36%, ndjekur nga tatim fitimi me 29% ose 44.8 miliardë lekë, detyrime të tjera me 15% ose 23.9 miliardë lekë, sigurime shoqërore dhe shëndetësore me 15% të totalit, ose 22.5 miliardë lekë, pasuar nga zërat e tjerë në vlera më të vogla.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, detyrimet e TVSH në fund të vitit 2023 u rritën me 3.2 mld lekë, Tatim Fitimi me 2.1 mld lekë, ndërsa sigurimet shoqërore dhe shëndetësore me 2.1 mld lekë.
Pjesa më e madhe e këtij borxhi të akumuluar ndër vite ka një vjetërsi mbi 2 vjet dhe gjithashtu masa më e madhe e tij i atribuohet tatimpaguesve që janë me status pasiv.

Kështu, sipas të dhënave, borxhi deri në 3 muaj zë 3% ndaj totalit të stokut, borxhi nga 3-6 muaj 2% të totalit, borxhi nga 6-12 muaj 4%, borxhi nga 1-2 vjet 8% dhe borxhi mbi 2 vjet zë 82% të totalit prej 155.2 miliardë lekësh. Tatimpaguesit aktivë zënë 36% të numrit total të debitorëve, ndërsa pjesa tjetër prej 64% janë tatimpagues pasisë. Dhe vlera e detyrimit të këtyre të fundit ndaj tatimeve arrin në 114.4 miliardë lekë. /ekofin.al
