Borxhi publik zbriti në 54.73 të PBB-së në fund të vitit 2024, sipas informacioneve që disponon ekofin.al, duke tejkaluar edhe të gjitha parashikimet e bëra nga Ministria e Financave, madje edhe atë të reflektuar në dokumentin më të fundit të miratuar në shkurt, Kuadrin Makro-ekonomik dhe Fiskal 2025-2027, ku parashikimi për borxhin publik në vitin 2024 ishte 55.2% të PBB-së.
Edhe pse të dhënat për realizimin e buxhetit të vitit 2024 nuk janë ende të disponueshme, pasi nuk janë publikuar ende nga Financat, ulja e borxhit tej parashikimeve nënkupton se paratë nuk janë shpenzuar dhe në fund ato kanë shkuar për të ulur më tej borxhin, “pra i ka ngrënë borxhi”.
Ulja e borxhit është në thelb një zhvillim pozitiv, pasi konsolidon pozitat financiare të një vendi dhe sa më i ulët të jetë borxhi publik, aq më i konsoliduar dhe i vlerësuar shihet ai vendi edhe në sytë e agjencive të vlerësimit të kreditit dhe më pas në sytë e investitorëve kur blejnë borxhin e tij. Kjo u reflektua edhe në emetimin e fundit të Eurobondit, ku interesi i lartë i investitorëve solli edhe rënien e normës së interesit për kuponin 10-vjeçar të borxhit të Shqipërisë.
Por në anën tjetër, mosrealizimi i investimeve impakton direkt në ngadalësimin e rritjes ekonomike të vendit, pasi paratë e pashpenzuara, të painvestuara, sipas planit fillestar të buxhetit, madje edhe pas disa rishikimeve të tij (3 herë) me akte normative gjatë vitit të kaluar, nënkuptojnë input të munguar në ekonomi.
Rënia e borxhit me 0.47% më shumë të PBB-së sesa parashikimi i Financave, nënkupton se të paktën 11.7 miliardë lekë investime të parashikuara “i ka ngrënë borxhi”, duke zbritur në 54.73% të PBB-së në fund të vitit 2024. Për një analizë më të plotë të mosrealizimeve të buxhetit 2024, duhen pritur të dhënat fiskale të dhjetorit 2024. /ekofin.al

