Rritet më tej borxhi që ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve i ka OSHEE-së, kjo kryesisht për rritjen e kamatë-vonesave. Madje për vitin 2024, vlera e subvencionimit të paguar nga Buxheti i Shtetit, për ndërmarrjet në pamundësi financiare është rritur në 350 milionë lekë, nga 310 milionë që ishte në vitin 2023.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave janë shqetësuese dhe për më tepër që kjo situatë është e mbartur vit pas viti.
Raporti i Financave tregon se, megjithëse situatat e vështira të krijuara me pandeminë COVID-19 janë tejkaluar, shoqëruar dhe me krizën globale energjetike dhe rritjen e kostove të energjisë dhe karburanteve, sërish ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve nuk kanë mundur të shndërrohen në rentabël. Për vitin 2024, buxheti i shtetit ka alokuar 350 milionë lekë si subvencion, në dispozicion të ndërmarrjeve që nuk arrijnë të mbulojnë kostot e operimit dhe mirëmbajtjes, sipas kritereve të përcaktuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndërkohë, borxhi i akumuluar nga ndërmarrjet e U-K ndaj OSHEE Group sh.a. deri në dhjetor 2024 ka arritur në 32.6 miliardë lekë, nga të cilat 16.6 miliardë lekë janë detyrime të faturuara, dhe 16 miliardë lekë janë kamatëvonesa. Konstatohet një rritje e mëtejshme e kamatë-vonesave.
Vetëm UK Durrës sh.a mban 5.62 miliardë lekë detyrime të akumuluara ndër vite, duke u renditur si ndërmarrja me borxhin më të madh ndaj OSHEE-së.
Për të përballuar këtë situatë kritike dhe për të garantuar qëndrueshmërinë financiare të sektorit, qeveria ka ndërmarrë një reformë të thellë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Synimi është konsolidimi i 58 ndërmarrjeve ekzistuese në 15 shoqëri rajonale SKP-UK (Subjekte me Kompetenca të Përbashkëta), përmes rigrupimit të aktiviteteve dhe shërbimeve. Deri në fund të vitit 2024, janë krijuar 14 nga 15 shoqëri të planifikuara, ndërsa bashkimi për SKP-UK Tirana mbetet ende në proces. Megjitthatë, ende reforma e ndërmarrë nuk ka nisur të japë efekte, pasi borxhet e akumuluara po shtohen. /ekofin.al

