Ndërsa Shqipëria po përgatitet për të marrë një borxh prej 700 milionë euro në tregjet e huaja, stoku i borxhit të jashtëm aktualisht zë një peshë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave, për tremujorin e tretë të vitit, stoku i borxhit të jashtëm regjistrohet në afro 585 miliardë lekë apo 4.8 miliardë euro, e përkthyer në 34.7 % të PBB.
Po të analizojmë të dhënat e së njëjtës periudhë që nga viti 2011, vihet re se borxhi i jashtëm ka ardhur në rritje nga viti në vit, pavarësisht perfomancës së ekonomisë, mbledhjes së të ardhurave, shpenzimeve, apo investimeve publike. Kështu në vitin 2011 borxhi i jashtëm regjistrohej në afro 334 miliardë lekë ndërkohë që në 2021-shin ka pësuar një rritje me 251 miliardë lekë në 11 vjet.
Po ashtu, po të analizojmë vetëm 5 vitet e fundit, që nga viti 2017, rezulton që borxhi i jashtëm është rritur me 74 miliardë lekë. Shqipëria ka dalë 4 herë në tregjet ndërkombëtare për të kërkuar hua, përkatësisht në vitin 2010, 2015, 2018, 2020 dhe pritet që të marrë financim edhe këtë vit. Pavarësisht se vitet e fundit Shqipëria është drejtuar më shpesh për financim në tregjet e huaja dhe se pjesa më e madhe e borxhit është marrë me argumentin e investimeve, sërish rritja ekonomike ka qëndruar në nivele thuajse të njëjta.