Çmimet e karburanteve në vend kanë shënuar rënie, pas vendimit më të fundit të Bordit të Transparencës të marrë më 11 prill 2026. Sipas njoftimit zyrtar, çmimi tavan i shitjes me pakicë për naftën është ulur në 209 lekë për litër, ndërsa benzina në 175 lekë për litër, duke reflektuar një tendencë korrigjuese pas luhatjeve të fundit në treg.
Vendimi, që hyn në fuqi menjëherë nga ora 16:00 e së shtunës, parashikon gjithashtu që çmimi me shumicë i gazoilit të jetë jo më shumë se 197 lekë/litër dhe ai i benzinës 163 lekë/litër. Çmimet do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës së Bordit, ku pritet të reflektohen ndryshimet e mëtejshme të tregut ndërkombëtar.
Në raport me vendimin e mëparshëm, kjo lëvizje konfirmon një zbutje të presioneve në tregun e naftës, duke sjellë lehtësim për konsumatorët dhe bizneset.
Autoritetet paralajmërojnë se çdo operator që nuk zbaton çmimet e përcaktuara do të përballet me masa të forta, deri në pezullim të aktivitetit. Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe atë të Infrastrukturës dhe Energjisë, theksojnë angazhimin për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg. /ekofin.al
