Çmimi i naftës arrin në rekorde maksimale historike. Bordi i Transparencës ka vendosur që çmimi i naftës të rritet me 10 lekë, duke arritur në 258 lekë.
Ky është sërish niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, duke kapur fillimin e marsit, kur nafta për pak ditë u tregtua me rreth 260 lekë.
Benzina dhe gazi kanë një rënie të lehtë. Benzina do të tregtohet me pakicë me 243 lekë, nga 244 lekë që ishte më parë ( nga vendimi i Bordit, datë 1 qershor).
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, do të jetë 86 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 74 lekë/litër për automjetet. më herët gazi me pakicë është tregtuar me 90 lekë litri.
Në ditët e para të marsit, nafta filloi të rritej me shpejtësi në tregun e brendshëm, duke bërë që qeveria të ndërhynte dhe të krijonte Bordin e Transparencës, që vendos periodikisht çmimet e shumicës dhe të pakicës. Megjithë ndërhyrjen e bordit, çmimi i naftës sot, i caktuar nga Bordi, arriti sërish në nivelet maksimale historike.