Rënia e çmimeve në bursën ndërkombëtare Platts Mediterranean ka reflektuar menjëherë në tregun vendas të karburanteve, duke sjellë një ulje të re të çmimeve të shitjes me pakicë dhe shumicë në Shqipëri. Bordi i Transparencës vendosi në mbledhjen e datës 26 mars 2026 që çmimi maksimal i gazoilit të ulet në 203 lekë/litër në pakicë dhe 191 lekë/litër në shumicë, ndërsa për benzinën çmimi maksimal do të jetë 175 lekë/litër në pakicë dhe 163 lekë/litër në shumicë.
Ky vendim vjen pas lëvizjeve në bursën Platts Med, ku gazoili ka shënuar një rënie prej 7.1 dollarë për ton dhe benzina 3.35 dollarë për ton krahasuar me një ditë më parë. Në këtë mënyrë, tregu vendas vijon të ndjekë dinamikat ndërkombëtare, duke reflektuar ndryshimet në kohë relativisht të shpejtë për konsumatorët.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi që prej orës 18:30 të datës 26 mars dhe do të mbeten të vlefshme deri në vendimmarrjen e radhës të Bordit, i cili monitoron në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet në bursat ndërkombëtare dhe kursin e këmbimit të dollarit.
Autoritetet sqarojnë se Bordi i Transparencës nuk përcakton çmimin e naftës bruto, por vetëm çmimet e nënprodukteve si gazoili, benzina dhe gazi i lëngshëm, duke u bazuar në standardet e përcaktuara në aktin normativ. Ndërhyrja e Bordit konsiston në vendosjen e marzheve maksimale të tregtimit, të cilat duhet të mbulojnë të gjitha kostot operative të operatorëve, ndërsa elementët e tjerë të çmimit mbeten të pandryshueshëm.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe atë të Infrastrukturës dhe Energjisë, ky mekanizëm synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg, në një periudhë që vijon të karakterizohet nga luhatje të forta në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Ndërkohë, autoritetet paralajmërojnë operatorët për zbatimin rigoroz të çmimeve të përcaktuara. Në rast shkeljesh, do të aplikohen masa deri në pezullimin e aktivitetit, ndërsa monitorimi i tregut do të vijojë në kohë reale për të reflektuar çdo ndryshim të ri në bursat ndërkombëtare. /ekofin.al
