Rritja e ndjeshme e prodhimit vendas të energjisë elektrike gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 ka kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë, duke ulur ndjeshëm nevojën për importe dhe duke rritur volumin e energjisë së shitur jashtë vendit. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti në 3.647 GWh në tremujorin e parë të këtij viti, nga 2.234 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke regjistruar një rritje të fortë me 63.2%.
Sipas bilancit të energjisë elektrike, rritja është mbështetur kryesisht nga hidrocentralet, si publike ashtu edhe private. Hidrocentralet publike prodhuan 1.667 GWh, me një rritje prej 63%, ndërsa prodhuesit privatë dhe koncesionarë arritën në 1.726 GWh, ose 66.8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, prodhimi nga burime të tjera të rinovueshme, kryesisht fotovoltaikë, u rrit me 44%, duke arritur në 254 GWh.
Rritja e prodhimit vendas ka ndryshuar ndjeshëm edhe balancën tregtare të energjisë. Importet e energjisë elektrike ranë me 57.4%, duke zbritur në vetëm 327 GWh, nga 767 GWh në tremujorin e parë të vitit 2025. Në të kundërt, eksportet u dyfishuan, duke arritur në 1.503 GWh, ose 105.4% më shumë se një vit më parë.
Si rezultat, shkëmbimi neto i energjisë rezultoi pozitiv me 1.177 GWh, çka do të thotë se Shqipëria eksportoi shumë më tepër energji sesa importoi gjatë tre muajve të parë të vitit.
Edhe konsumi i energjisë në vend ka vijuar të rritet. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët arriti në 1.954 GWh, me një rritje prej 9.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Konsumi familjar u rrit me 8.8%, ndërsa ai i bizneseve dhe kategorive jo familjare me 9.5%, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe kërkesën më të lartë për energji.
Nga ana tjetër, humbjet në rrjet vijojnë të mbeten të larta. Në tremujorin e parë të vitit 2026 ato arritën në 516 GWh, me një rritje prej 8% në raport me një vit më parë. Megjithatë, pesha e humbjeve ndaj energjisë në dispozicion zbriti lehtë në 20.9%, nga 21.1% që ishte një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se viti 2026 ka nisur me kushte shumë më të favorshme hidrike për sektorin energjetik shqiptar, duke rikthyer prodhimin vendas në nivele të larta dhe duke reduktuar ndjeshëm varësinë nga importet, një faktor që ndikon drejtpërdrejt edhe në kostot e furnizimit me energji për ekonominë shqiptare. /ekofin.al


