Blegtoria shqiptare vijon të përballet me sfida strukturore, teksa të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2025 pjesa më e madhe e kategorive të kafshëve ka shënuar rënie, ndërsa vetëm gjedhët dhe bletaria kanë regjistruar rritje. Në të njëjtën kohë, prodhimi i mishit është rritur, ndërsa prodhimi i qumështit dhe vezëve ka pësuar tkurrje.
Sipas statistikave zyrtare, numri i gjedhëve arriti në 275 mijë krerë në vitin 2025, me një rritje prej 1.1% krahasuar me vitin paraardhës. Edhe numri i lopëve u rrit me 0.8%, duke arritur në 226 mijë krerë. Ky zhvillim tregon një stabilizim të sektorit të gjedhit, i cili mbetet një nga shtyllat kryesore të prodhimit blegtoral në vend.
Në anën tjetër, të leshtat vijuan trendin rënës. Numri i tyre zbriti me 0.9%, ndërsa numri i deleve, që përbëjnë pjesën më të madhe të këtij grupi, ra me 3.8%, duke zbritur nga 968 mijë në 932 mijë krerë. Edhe më e fortë ishte tkurrja te të dhirtat, ku numri total u ul me 7.4%, ndërsa dhitë ranë me 7.9%.
Rënia më e theksuar është regjistruar te derrat. Numri i tyre u tkurr me 28.2% gjatë vitit 2025, duke zbritur nga 104 mijë në vetëm 75 mijë krerë. Edhe numri i dosave u reduktua me 13.6%, çka tregon një tkurrje të ndjeshme të këtij segmenti të blegtorisë shqiptare.
Edhe sektori i shpendarisë nuk ka shmangur tendencën negative. Numri total i shpendëve ra lehtë me 0.5%, por numri i pulave pësoi një ulje shumë më të ndjeshme prej 8.3%, duke zbritur nga 4.56 milionë në 4.18 milionë krerë. Ndërkohë, numri i njëthundrakëve u ul me 3.2%.
Një nga zhvillimet më pozitive të vitit ka qenë zgjerimi i bletarisë. Numri i koshereve të bletëve u rrit me 9.8%, duke arritur në 645 mijë njësi nga 587 mijë një vit më parë. Kjo rritje u reflektua edhe në prodhimin e mjaltit, i cili u shtua me 6%, duke arritur në 6,299 tonë.
Sa i përket prodhimeve blegtorale, prodhimi i përgjithshëm i qumështit u ul lehtë me 0.1%, në 868 mijë tonë. Qumështi i lopës mbetet dominues me 85.7% të totalit, ndërsa qumështi i deles dhe i dhisë zënë përkatësisht 7.1% dhe 7.2%.
Në kontrast me ecurinë e qumështit, prodhimi i mishit në peshë të gjallë u rrit me 2.5%, duke arritur në 133.6 mijë tonë. Ndërkohë, prodhimi i vezëve ra me 5.8%, nga 888 milionë në 837 milionë kokrra.
Të dhënat rajonale tregojnë se Fieri dhe Korça mbeten qarqet me përqendrimin më të madh të gjedhëve, ndërsa Vlora dhe Gjirokastra dominojnë në mbarështimin e deleve dhe dhive. Për derrat, pesha kryesore vazhdon të përqendrohet në qarqet e Lezhës dhe Shkodrës.
Shifrat e vitit 2025 konfirmojnë se blegtoria shqiptare po kalon një proces transformimi, ku tkurrja e fermave tradicionale të deleve, dhive dhe derrave po shoqërohet me një orientim më të madh drejt gjedhit dhe bletarisë./ekofin.al

