Ekonomia shqiptare në vitin 2024 ka vijuar të zgjerohet në numër ndërmarrjesh dhe në volum shitjesh, por me një sinjal të qartë frenimi në tregun e punës. Rezultatet finale të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), tregojnë se gjatë vitit 2024 ishin aktive 119.870 ndërmarrje, me një rritje prej 2,2% krahasuar me vitin 2023.
Megjithatë, numri i të punësuarve zbriti në 551.189 persona, me një rënie prej 1,6% në raport me një vit më parë. Në të kundërt, shitjet neto arritën në 3.533 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 4,5%.
Të dhënat konfirmojnë një trend të dyfishtë: rritje e aktivitetit ekonomik në vlerë monetare dhe zgjerim i numrit të bizneseve, por me një tkurrje të punësimit total.
Struktura e ekonomisë vijon të dominohet nga shërbimet. Prodhuesit e shërbimeve përbëjnë 86,8% të ndërmarrjeve aktive, 65,6% të të punësuarve dhe realizojnë 68,3% të shitjeve neto. Brenda këtij grupi, tregtia mban peshën kryesore si në numrin e ndërmarrjeve, ashtu edhe në punësim dhe në vëllimin e shitjeve.
Në total, tregtia numëron 42.086 ndërmarrje (35,1% e totalit), punëson 136.365 persona (24,7%) dhe realizon 1.630.236 milionë lekë shitje neto, ose 46,1% të totalit kombëtar. Kjo do të thotë se pothuajse gjysma e qarkullimit të ekonomisë shqiptare në vitin 2024 është gjeneruar nga aktiviteti tregtar.
Nga ana tjetër, prodhuesit e të mirave përbëjnë 13,2% të ndërmarrjeve, por kontribuojnë me 31,7% të shitjeve neto dhe 34,4% të punësimit. Brenda këtij grupi, industria përpunuese përfshin 7.187 ndërmarrje dhe 95.276 të punësuar, me 378.978 milionë lekë shitje neto, ndërsa ndërtimi numëron 7.028 ndërmarrje dhe 60.667 të punësuar, me 406.491 milionë lekë shitje.
Sektori i energjisë, gazit, ujit dhe trajtimit të mbetjeve, ndonëse përfaqëson vetëm 0,7% të ndërmarrjeve, realizon 7,4% të shitjeve neto, duke reflektuar një përqendrim të lartë të kapitalit dhe volumit financiar.
Të dhënat metodologjike theksojnë se statistikat strukturore përfshijnë të gjitha ndërmarrjet që prodhojnë të mira dhe shërbime në Shqipëri, përjashtuar bujqësinë, peshkimin, ndërmjetësimin monetar e financiar, administratën publike dhe organizatat ndërkombëtare. /ekofin.al

