Ndërgjegjësimi i subjekteve vendase dhe informimi lidhur me rëndësinë e regjistrimit të patentave, modeleve, markave tregtare dhe të shërbimit, dizenjove industriale, treguesve gjeografikë etj, mbetet shumë i rëndësishme për zhvillimin e një tregu të shëndetshëm.
Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale bën të ditur se aplikimet për patentat kombëtare në tre vitet e fundit kanë rritje të ndjeshme. Konkretisht nga 12 aplikime për patentë kombëtare në vitin 2020, në vitin që lamë pas u regjistruan 23 aplikime për patentë kombëtare.
Aplikimet kombëtare janë kryesisht të fushave mjekësore, kimike, mekanike apo teknologji dixhitale.
Sipas DPPI janë regjistruar në vitin që lamë pas, 6 aplikime për patenta mjekësore apo kozmetike, 3 patenta janë të fushës kimike, 5 patenta janë të fushës mekanike,
2 patenta janë të fushës elektroteknike, dhe 7 patenta janë të fushës teknologji dixhitale.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, ka si mision të forcojë mbrojtjen e pronësisë industriale brenda territorit shqiptar nëpërmjet njohjes, regjistrimit, dhe promovimit të këtyre të drejtave, për të garantuar një nivel mbrojtjeje të njëjtë me atë të vendeve të Bashkimit Europian.