Të dhënat nga Raporti i Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 tregojnë se bizneset shqiptare kanë vijuar të rrisin detyrimet e tyre financiare, por raportet e borxhit ndaj kapitalit dhe PBB-së tregojnë përmirësim të dukshëm.
Sipas shifrave, në fund të vitit 2023, mjetet financiare të ndërmarrjeve arritën në rreth 1,900 miliardë lekë, ndërsa detyrimet ndaj sektorëve rezidentë dhe jorezidentë kapën shifrën 4,300 miliardë lekë. Rritja është mbështetur kryesisht nga kapitali dhe aksionet, ndërkohë që huatë dhe llogaritë e tjera të pagueshme përbëjnë pjesën më të madhe të borxhit.
Në harkun kohor 2013–2023, raporti borxh/kapital ra ndjeshëm në rreth 30%, nga mbi 80%, pasi stoku i borxhit ka mbetur në nivelin e 800 miliardë lekëve, ndërsa kapitali u rrit nga 1,000 miliardë në 2,400 miliardë lekë. Ky trend dëshmon një varësi më të lartë të bizneseve nga financimi me kapital sesa nga borxhi.
Megjithatë, në raport me jorezidentët, bilanci financiar i bizneseve mbetet dukshëm negativ. Në fund të vitit 2023, detyrimet ndaj jorezidentëve ishin rreth 11 herë më të mëdha sesa pretendimet, duke gjeneruar një pozicion neto debitor prej 1,200 miliardë lekësh, më i thelluar se deficiti i përgjithshëm i ekonomisë ndaj jorezidentëve (1,000 miliardë lekë).
Edhe pse gjatë gjysmës së parë të vitit 2025 detyrimet vijuan të rriten, ritmi i tyre është ngadalësuar. Stoku i investimeve të huaja direkte në mars 2025 arriti në 14.6 miliardë euro (+12% në vit), me peshën kryesore në sektorin nxjerrës, energjetik, financiar dhe të pasurive të paluajtshme.
Në të njëjtën kohë, borxhi i jashtëm i bizneseve është ruajtur në nivelin historik prej rreth 3 miliardë eurosh. Dominimi i investimeve kapitale afatgjata në detyrimet ndërkufitare shihet si faktor pozitiv për stabilitetin financiar, pasi këto burime janë më të qëndrueshme dhe më pak të ekspozuara ndaj goditjeve afatshkurtra spekulative. /ekofin.al
