Depozitat e sigurueshme të tregtarëve dhe shoqërive tregtare në sistemin bankar arritën në 354.6 miliardë lekë në fund të vitit 2025, duke shënuar një rritje vjetore prej 12.7%. Pesha kryesore vijon të mbetet tek depozitat mbi nivelin e mbulimit prej 2.5 milionë lekësh, të cilat përbëjnë 90% të totalit dhe u rritën me 12.9%, ndërsa depozitat nën këtë nivel përfaqësojnë vetëm 10%.
Sipas monedhës, depozitat në euro dominojnë me 53.3% të totalit dhe u rritën me 11.4%, ndërsa ato në lekë, që zënë 41.7%, shënuan rritjen më të fortë vjetore prej 17.8%, duke dhënë ndikimin kryesor në zgjerimin e depozitave të bizneseve. Në të kundërt, depozitat në USD, me një peshë 4.4%, pësuan rënie me 10.6%. Struktura e produkteve tregon dominimin e llogarive rrjedhëse, të cilat përbëjnë 86% të totalit.
Numri i depozituesve të mëdhenj mbetet relativisht i qëndrueshëm: rreth 16,905 biznese me depozita mbi 2.5 milionë lekë përfaqësojnë vetëm 8.2% të totalit të depozituesve, por mbajnë pjesën dërrmuese të fondeve.
Ndërkohë, depozitat e siguruara të bizneseve u rritën me 9.9% gjatë vitit, duke arritur në 77.5 miliardë lekë, me luhatje mujore ku kulmi pozitiv u shënua në gusht.
Paralelisht, sektori i shoqërive të kursim-kreditit (SHKK) vijon zgjerimin gradual. Totali i depozitave në këtë sektor arriti në 12.3 miliardë lekë në fund të 2025, me një rritje vjetore prej 7.4%, duke reflektuar stabilitet më të lartë krahasuar me vitin e kaluar. Që nga hyrja në skemën e sigurimit në vitin 2017, depozitat në SHKK janë trefishuar, me një normë mesatare rritjeje vjetore prej 12.7%. /ekofin.al

